Berat, 29 tetor 2025 — Një konflikt për një kal ka përfunduar tragjikisht me vrasjen e K.H., në kalanë e Beratit.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se autori i ngjarjes, 63-vjeçari K.M (alias K. H), ka thënë se gjithçka nisi pasi viktima kishte prekur kalin e tij.
Sipas dëshmisë së autorit në polici, ai i kishte thënë mos ta prekte kalin, sepse nuk ishte mirë.
“I thashë që mos ta prekte kalin, pasi nuk ishte mirë dhe ishte i acaruar sot”, ka deklaruar K.M.
Autori ka treguar më tej se pas kësaj, viktima e kishte sharë dhe e kishte ofenduar.
“Pas sharjeve që më bëri, në gjaknxehtësi e sipër, nxora thikën që e kisha fshehur në samarin e kalit dhe e godita”, – ka pohuar ai.
Pas ngjarjes, K.M. deklaroi se kishte marrë masa për t’u fshehur.
“Shkova në banesë, lidha kalin në kasolle, mora disa ushqime dhe u fsheha në një nga shpellat e kalasë, për t’i shpëtuar policisë”, tha autori.
Familjarët e viktimës kanë dhënë një version tjetër për ngjarjen, duke deklaruar se konflikti filloi vetëm sepse K.H kishte prekur kalin.
“Ai nuk e ka sharë ose ofenduar pronarin e kalit. Vetëm i tha ‘s’ka asgjë të keqe’ kur i kërkuan të mos e prekë kalin”, thanë familjarët. Vrasja ndodhi dje pranë Kalasë së Beratit.
