Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 32-vjeçarin Hajri Bajramajn, i cili shkaktoi aksidentin e rëndë ku humbi jetën 17-vjeçari Leandro Shametaj.
Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Vlorës, ndërsa Bajramaj akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.
Gjatë seancës, i akuzuari ka shprehur pendesë dhe ka kërkuar falje për ngjarjen tragjike.
Gjithashtu më poshtë është video në momentin kur mjeti tip Porsche ka marrë zvarrë motorin me të cilin lëvizte viktima, për disa metra, duke i shkaktuar atij plagë të rënda që i sollën vdekjen.
Ndërkohë, jashtë ambienteve të gjykatës ishin të pranishëm edhe familjarët e viktimës 17-vjeçare, të cilët kërkuan drejtësi për humbjen e djalit të tyre.
Daja i viktimës tha se kërkon ashpërsim të ligjit, pasi shoferi kreu një vrasje me dashje.
“Jam daja i Leandros. Ne kërkojmë nga drejtësia…vërtetë ai e mori atë që meritonte por kërkojmë që të ashpërsohet ligji. Është vrasje me dashje. Të ecësh në bulevard me 200 km/h, të jesh i papërgjegjshëm, të jesh i dehur…”, tha daja i viktimës.
