Teksa Gjykata Kushtetuese po shqyrton ankimimin e Erion Veliaj, Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike po shqyrton kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, me argumentin se ka kryer “shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Sipas PD-së, Begaj ka vepruar në kundërshtim me ligjin në disa raste, përfshirë dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë, ndërhyrjen në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe dekretimin e ligjit për Komisionet Hetimore, pa respektuar procedurat.
Një tjetër pikë e debatueshme është dekretimi i “ministre virtuale” Diella, si dhe akuzat se presidenti nuk ka ndërhyrë për të ndaluar përfshirjen e trupës diplomatike dhe stafit të tij në fushatën elektorale të vitit 2025.
Demokratët e akuzojnë gjithashtu presidentin për përfitime të paligjshme dhe konflikt interesi. Sipas tyre, ai rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, ndërsa i biri dyshohet se është punësuar fiktivisht në një kompani sigurimesh, që ka fituar tendera nga Presidenca.
Në kërkesën zyrtare theksohet se këto veprime përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe cenojnë integritetin e institucionit të Presidentit të Republikës.
Sipas nenit 90 të Kushtetutës, shkarkimi i presidentit mund të ndodhë vetëm për shkelje të rënda të ligjit themelor ose për kryerjen e një krimi të rëndë. Kërkesa duhet të nënshkruhet nga të paktën 35 deputetë dhe të miratohet në Kuvend me 94 vota.
Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të vërtetojë ose jo fajësinë e presidentit dhe të shpallë shkarkimin ose jo të tij nga detyra.
