Nga Sonila Boçi Pepivani*

Dje ishte dita e terapisë së radhës, çka më bëri sërish të jem në Spitalin Onkologjik. Deri këtu nuk ka asgjë të re dhe, sigurisht, nuk do të ishte arsye për një status në rrjetet sociale. E veçanta e ditës së djeshme ishte inspektimi i papritur i ministres së re të Shëndetësisë, e cila u kujdes të dëgjonte edhe opinionin e pacientëve. Për fat të keq, nuk munda ta takoja për t’i shprehur përshtypjet e mia mbi situatën aq të komentuar në atë spital.

Kështu vendosa të prek një rregull që i kisha vënë vetes. Problemet e rëndësishme nuk zgjidhen në rrjete sociale, por institucionalisht. Mirëpo, për fat të keq, ky shteti ynë është i qytetarit vetëm në muajt e fushatës. Më pas, shndërrohet në shtetin e njerëzve të pushtetshëm. Kjo më bën të kërkoj durimin tuaj për të lexuar një status të gjatë.

Së pari, uroj që vizita e djeshme e ministres të Shëndetësisë, të mos jetë një rast i izoluar, por një ogur i mirë që do të hapë një komunikim të sinqertë midis administratës, mjekëve dhe pacientëve!

Do ta filloj duke thënë atë që nuk thuhet shpesh në media dhe publik, i cili vijon në vazhdën e një kulture aspak produktive të gjeneralizimit të së keqes. Në të vërtetë, në Spitalin Onkologjik punon një staf i përkushtuar mjekësh e infermierësh, njëherësh profesionistë dhe humanë. Po flas për përvojën time dhe nuk dua në asnjë mënyrë të përgjithësoj e të them se të gjithë janë kështu. Gjithmonë kam besuar se si e mira dhe e keqja ka emër dhe këtë po përpiqem të bëj. Mjekët që më kurojnë mua (kanë qenë tre gjatë viteve) kanë qenë gjithmonë të gatshëm të më ndihmojnë ditën e natën, në çdo moment, pa u lodhur dhe me një profesionalizëm të dallueshëm. Unë vijoj luftën edhe falë përkushtimit të tyre.

Infermieret ndoshta janë ato për të cilat flitet pak, por që mbajnë një peshë të jashtëzakonshme. Më çudit sesi gjejnë gjithmonë një mënyrë për të tejkaluar lodhjen e tyre të jashtëzakonshme dhe të të shërbejnë me ndërgjegje e përkushtim, duke u përballur çdo ditë me situata të paparashikuara.

Madje gjejnë forcë të të ofrojnë edhe një buzëqeshje e fjalë të ëmbël kur jemi të paqetë. Unë u jam thellësisht mirënjohëse secilës prej tyre!

Për fat të keq, si mjekët dhe infermierët punojnë dhe ne kurohemi në kushte tejet të vështira.

Në Spitalin Onkologjik marrin mjekime 80–120 pacientë çdo ditë (ndoshta edhe më shumë), me një kapacitet poltronash e shtretërish që nuk besoj se kalojnë numrin 30. Terapitë janë të gjata dhe zgjasin nga 2 deri në 9 orë (të paktën kjo është përvoja ime), çka e bën pritjen të gjatë dhe sfilitëse.

Por kjo nuk është pritja e vetme. Para kësaj duhet të qëndrosh në një radhë të gjatë, në një korridor të ngushtë, ku shpesh mungon ajri, për të takuar mjekun, i cili do të analizojë situatën e përgjithshme dhe do të vendosë për ecurinë e terapisë. Largimi i disa mjekëve nga klinika dhe moszëvendësimi i tyre e ka bërë këtë pritje edhe më të gjatë e të padurueshme. Si dikur në radhën e qumështit, pacientët presin me durim dhe nervozohen, me të drejtë, për njerëzit që hyjnë pa radhë. Do të ishte lehtësisht e zgjidhshme nëse vendosej një sistem elektronik numrash, që do ta bënte situatën më pak kaotike dhe pritjen më dinjitoze.

Midis pritjes për të takuar mjekun, pritjes për t’u liruar një poltronë a shtrat për të filluar terapinë dhe kohëzgjatjes së saj, një pacienti i duhet të kalojë gjithë ditën në spital, në kushte jo komode. Të gjithë ne jemi njerëz të sëmurë, fuqitë e të cilëve duhet të fokusohen te sëmundja dhe jo te burokracitë e spitalit. Personalisht, kjo situatë më ndikon negativisht në rikuperimin pas terapisë.

Në të vërtetë, nuk do të shkruaja për asnjë nga këto vështirësi, por e ndjej se duhet ta bëj, sepse dua të bëj një ndarje përgjegjësie midis atyre që vuajnë, dhe atyre që shkaktojnë vuajtje.

Spitali Onkologjik, për fat të keq, sërish ndodhet në mungesë ilaçesh. Një sëmundje endemike e këtij institucioni, e cila ende nuk po gjen zgjidhje. Përveç faktit se këto mjekime janë te vetmet armë që kemi për të shpëtuar jetën. Në një sistem shëndetësor që propagandohet si falas, çdo mjekim duhet të ishte i disponueshëm dhe falas, aq më tepër në Spitalin Onkologjik, ku ndjeshmëria e pacientëve është e shtuar. Mungesa e një mjekimi, edhe nëse nuk më rrezikon jetën në afat të shkurtër, më dëmton shëndetin mendor dhe ekuilibrin e brishtë për të cilin luftoj çdo ditë. Po kështu, dëmtojnë shanset për rikuperim dhe gjendjen emocionale të pacientëve anomalitë e vazhdueshme me aparatet e radioterapisë apo afatet tejet të gjata për ekzaminimet imazherike e laboratorike.

Mendoj se Spitali Onkologjik ka bazën më të rëndësishme që e bën një spital të suksesshëm: një bërthamë shpresëdhënëse e profesioniste burimesh njerëzore. Edhe pse, kohët e fundit, për shkak të sensibilizimit në medie është krijuar një tension i paarsyeshëm midis pacientëve, me të drejtë të frustuar dhe mjekëve. Pacientët kërkojnë zgjidhje dhe mjekët i shohin, në mënyrë të gabuar në rastin e ilaçeve, si institucionin që duhet të zgjidhë problemet e tyre.

Në të vërtetë, problemi në këtë rast lidhet me administrimin burokratik të spitalit dhe me investimet e pamjaftueshme të parashikuara në buxhetin e shtetit. E kuptoj se mjekësia është e kushtueshme dhe se numri i pacientëve me kancer po rritet. Gjithsesi, mendoj se nuk është e pamundur të bëhen studime të thelluara për përqindjet e rritjes dhe të sigurohen mjekime për të gjithë vitin. Nëse duhen investime më të mëdha dhe shtim i buxhetit, personalisht nuk mund ta mendoj një gjë më të vlefshme për të cilën ia vlen të investosh.

*Studiuese e njohur në Institutin e Historisë

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re