Forca Ajrore e Republikës së Shqipërisë i është përgjigjur menjëherë një thirrjeje emergjente për ndihmë, duke realizuar një operacion shpëtimi të suksesshëm në kushte të vështira terreni. Bëhet fjalë për shpëtimin e një shtetasi nga Kosova, i cili ishte pickuar nga një gjarpër helmues i llojit nepërkë, në zonën malore dhe të thellë të Currajve të Epërm, në qarkun e Tropojës.
Ngjarja është regjistruar një ditë më parë, në shtegun malor që lidh Currajt e Poshtëm me Currajt e Epërm, rreth një kilometër larg nga vendi i njohur si Rrasa e Çurrajve. Për shkak të terrenit tepër të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor, ndërhyrja ajrore ishte e vetmja mundësi për të shpëtuar jetën e të lënduarit.
Pas marrjes së njoftimit nga Ekipi i Kërkim–Shpëtimit të Kosovës, strukturat përkatëse të Forcave të Armatosura u vu menjëherë në lëvizje. Një helikopter i Forcës Ajrore u ngrit drejt zonës malore, duke u koordinuar ngushtë me autoritetet vendore dhe ekipet e kërkim-shpëtimit në terren.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionalizmit të ekuipazhit, personi i dëmtuar u evakuua me sukses dhe u transportua drejt spitalit rajonal të Bajram Currit, ku mori ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tij shëndetësore është tashmë e stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga momentet e shpëtimit, duke vlerësuar maksimalisht angazhimin e efektivëve të Forcës Ajrore. Ai theksoi se “vendosmëria, përkushtimi dhe reagimi në kohë i djemve të Forcës Ajrore janë dëshmi se çdo thirrje emergjente trajtohet me seriozitet të plotë, sepse reagimi në kohë shpëton jetë njerëzish”.
Ky operacion është një tjetër shembull i bashkëpunimit efektiv ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre kosovare në fushën e emergjencave civile dhe kërkim-shpëtimit, duke dëshmuar se solidariteti dhe gatishmëria nuk njohin kufij kur bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve njerëzore.
