Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka kujtuar sot me emocion disa nga momentet më të vështira gjatë udhëheqjes së Fatos Nanos, ish-kryeministrit të ndarë nga jeta një ditë më parë, në moshën 73-vjeçare.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24, Malaj foli për periudha të ngarkuara politikisht që Partia Socialiste ka kaluar gjatë drejtimit të Nanos.
“Më i vështiri për ne ishte viti 1998, kur me arkivol u shqye dera e Kryeministrisë. Ai moment kishte edhe zhgënjim politik, sepse Nano, pas gjithë vuajtjeve të tij, në vitin 1997 nuk i ktheu ato në hakmarrje politike,” u shpreh Malaj.
Sipas tij, Fatos Nano tregoi maturë dhe vizion politik, duke mos e përdorur pushtetin për hakmarrje, madje edhe ndaj rivalëve të tij.
“Nano bëri një amnisti personale, edhe në raport me Berishën, duke theksuar se nuk duhet të krijojmë mite të reja për kundërshtarët politikë,” tha më tej Malaj.
Ish-ministri kujtoi gjithashtu edhe krizat e brendshme që përjetoi Partia Socialiste, kur qeveria e Nanos përballej me pengesa në miratimin e saj në Parlament.
“Në atë periudhë, qeveria qeveriste vetëm me zëvendësministra. E kam parë Nanon të zhgënjyer me veten për gjithë investimin e tij politik, sepse ai nuk krijonte armiq, as në parti e as me opozitën,” përfundoi Malaj.
Arben Malaj: Më i vështiri për ne ishte 1998 kur me arkivol shqyhej dera e kryeministrisë dhe ai moment kishte dhe atë zhgënjimin politik, sepse Nano në 1997 nuk i ktheu vuajtjet e tij në hakmarrje politike. Ai bëri një amnisti personale edhe në raport me Berishën, duke theksuar faktin që nuk duhet të krijojmë mite të tjera të kundërshtarëve politikë.
Moment tjetër i vështirë kanë qenë zhvillimet brenda PS, sepse në mënyrë graduale në një parti krijohen grupe të vogla të cilat krijojnë vështirësitë e tjera dhe aq më tepër në pikën kulmuese kur qeveria nuk po miratohej në parlament dhe qeveria vazhdonte qeveriste me zv.ministra. Atje kam parë që ishte i zhgënjyer në vete veten e tij për gjithë investimin politike, sepse Nano nuk krijonte armiq as në parti as me opozitën.



