Nga Ilirjan Shehu
Teksa dëgjonte akuzat nga rivali i tij për mungesë të eksperiencës për të drejtuar qytetin më të madh të SHBA, pikërisht aty ku pati ndodhur 9/11 dhe ku pandemia e Covid-19 kishte bërë kërdinë, buzëqeshja për të cilën ai është bërë i famshëm ngadalë ju fashit ndërsa fytyra i mori një pamje serioze. Ndërsa ngriti dorë e kërkoi rradhën për të folur, me një ton të qetë por të vendosur, me një elokuencë jo karakteristike për një politikan të moshës së tij, Zohran Mamdani, kandidati demokrat në zgedhjet për bashkinë e New York, ju drejtua kamerës. “Përse”, pyeti ai, “duhet që qytetarët e New York të mbështeten tek kandidati i cili gjatë pandemisë (si guvernator i shteti të New York) dërgoi të moshuarit drejt vdekjes në shtëpitë e të moshuarve?” E pastaj, ndërsa u kthye drejt kundërshtarit për ta parë në sy atë, vijoi më një sulm shkatërrues: “Atë që nuk e kam në përvojë e kompensoj me integritet por atë që ti nuk ke në integritet nuk mund ta kompensosh kurrë me përvojë.” Ishte një mic drop moment, një nga ato momentet e rralla që qartësisht ndajnë fituesin nga humbësi, momente të cilat politikanët i ëndërrojnë.
Pikërisht kjo aftësi e Mamdanit për të dhënë goditje pas goditje ndaj oponentëve të tij qofshin ata kandidatët kundërshtarë në zgjedhje, Andrew Cuomo dhe Curtis Silva, mbështetësit e tyre bilionerë si Bill Ackman apo Elon Musk, apo dhe vetë presidenti Trump, qoftë në konferenca për shtyp, në takime rastësore në rrugë, në emisione në radio e TV apo dhe në podcaste të njohura e më pak të njohura e kanë kthyer fushatën e Mamdanit në një fenomen. Kjo zotësi për elokuencë që demokratët nuk e kanë parë që nga Obama e lidhur fort me një mesazh të fokusuar fort tek përballueshmëria e jetës në qytet e kanë transformuar një kandidat krejt të panjohur një vit më parë në një fenomen të politikës amerikane dhe asaj ndërkombëtare.
Është e paprecedentë në historinë e SHBA që një palë zgjedhje lokale edhe pse për bashkinë e New York, qyteti i saj më i madh dhe më i rëndësishem, të tërheqë vëmendje kombëtare dhe ndërkombëtare. Por ështe pikërisht kjo ajo që ka ndodhur dhe jo pa arsye. Kur filloi fushatën e tij një vit më parë askujt nuk i shkonte në mendje që Zohran Mamdani, një 33-vjecar krejt i panjohur për publikun jo vetëm amerikan por edhe atë të qytetit kur ai kandidon, mund të sfidonte Andrew Cuomo-n, pinjoll i një familjeje të famshme politike dhe një politikan me përvojë si N/Sekretar Shteti për Strehimin dhe Zhvillimin Urban në administratën Clinton e më pas guvernator i shtetit të New York-ut. Por shpejt ai ra në sy me një fushatë origjinale me klipe virale online dhe një mesazh të fokusuar tek shtrenjtësia e jetës. Që në fillim Mamdani paraqiti vizionin e tij: autobuzë publikë më të shpejtë dhe falas, ngrirje të qerave, taksë të sheshtë prej 2% për qytetarët që fitojnë mbi një milion dollarë në vit, dyqane në pronësi të qytetit me ushqime falas për njerëzit në nevojë, kopshte e cerdhe falas, ulje të burokracisë dhe nxitje të kompanive per rritje të ndërtimit të banesave për qytetarët, përmirësim të cilësisë së shërbimit ndaj tyre, ngritjen e një departamenti të shëndetit qytetar që do meret me shërbime shoqërore për persona me paaftësi mendore e probleme të tjera sociale dhe heqja e këtyre detyrave nga policia e cila i ka kryer shumë prej tyre deri më sot.
Që nga prilli 2025, momenti kur u kuptua që Mamdani ishte një rrezik për kandidatët e establishmentit demokrat, sulmet ndaj fesë së tij muslimane, karakterit apo ideve të tij nuk kanë ndaluar. Nga e djathta ai u karakterizua si një komunist që do të shkaktojë largimin e pasanikëve nga qyteti, si një musliman që kishte qëllime të këqija ndaj SHBA-ve, si një antisemit që që nuk njihte Izraelin. Këto nuk ishin surprizë. Surpriza ishte që të njëjtat sulme i erdhën dhe nga kundershtari i tij demokrat Cuomo dhe demokratë të tjerë. Pamflete të shpërndara nga fushata e Cuomo-s, artificialisht zmadhonin mjekrën e Mamdanit për ta paraqitur atë si më të frikshëm ndërsa vetë ky i fundit qeshte gjatë një emisioni me sugjerimin se Mamdani do të gëzohej nëse një tjetër 9/11 do të ndodhte. Ndërkohë bilionerë të cilët kishin mbështetur Trump-in për të ardhur në pushtet hodhën miliona dollarë në mbështetje të kundërshtarëve të tij, vecanrisht Andrew Cuomo-s. Vetë Donald Trump e ka quajtur Mamdanin një komunist dhe ka deklaruar se do ndalojë fondet federale që qeveria e SHBA i jep New York-ut.
Përse kjo frikë nga një zgjedhje lokale? Mesazhi i Zohran Mamdanit dhe ajo që ai përfaqëson është antiteza e cdo miti politik të ndërtuar në Amerikë në më shumë se dy dekadat e fundit. Ai është një i ri, emigrant, musliman, me një platformë demokracie socialiste, i cili ka dënuar genocidin në Gaza dhe ka deklaruar se do të arrestojë kryeministrin izraelit Benyamin Netanjahu nëse ai viziton New York-un. Por kjo është vetëm një pjesë e arsyes. Ndryshe nga politikanë të tjerë demokratë, Mamdani është shembulli i një politikani që nuk frikë të marrë një qendrim dhe ta mbrojë atë me argumente të qarta. Tek Mamdani të rinjtë shohin politikanin e ndryshimit nga politika e tharë e brezit të boomers, emigrantët shohin atë që do përpiqet t’i mbrojë nga politikat e dëbimit të MAGA-s republikane të presidentit Trump, muslimanët shohin si një përgjigje ndaj islamofobisë së tmerrshme dhe racizmit që kanë përjetuar, qytetarët që po vuajnë rritjen e kostos së jetës shohin dikë që do të përpiqet të përmirësojë një sistem me politikanë të korruptuar e bilionerë që përdorin pasurinë e tyre për të përfituar nga ky sistem.
Fushata e Mamdanit, ndryshe nga kundërshtarët nuk është financuar nga të pasurit. Pavarësisht akuzave se do t’i zvogëlojë fondet policisë, plani i tij që policia të fokusohet vetëm tek lufta ndaj krimit mbështetet nga shumëkush. Madje as akuzat e shumta për anti-semitizëm nuk kanë pirë ujë ndërsa shumica e hebrenjve të New York-ut mbeshtesin Mamdanin. Në fakt një nga momentet kyçe për Mamdanin ishte pikërisht refuzimi i tij për të vizituar Izraelin ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë në debat e deklaruan atë si shteti i parë që do vizitonin. Kjo jo vetëm e veçoi Mamdanin nga të tjerët, por vuri në pah vendosmërinë e tij për t’u përballur me fuqitë ekzistuese në politikën amerikane si politikan që kupton dhe përçon idetë e votuesve.
Aftësia e Mamdanit për t’ju përgjigjur çdo akuze, për t’ju përmbajtur mesazhit të tij dhe për të demonstruar politikat korrupsionit dhe interesit të kundërshtarëve të mbështetur nga bilionerë, e kanë kthyer fushatën e Mamdanit në një forcë me të cilën edhe figurat më të larta të partisë së tij duhet të përballen. Në fakt efekti i Mamdanit nuk është i ndryshëm nga ai i Trump-it i cili e ktheu partinë republikane në MAGA. Të dy patën aftësinë të diagnostikojnë problemin kryesor të amerikanëve, koston e jetës. Të dy patën zotësinë për të përçuar atë mesazh. Por, siç thotë vetë Mamdani, ndryshe nga Trump premtimet e të cilit për të ulur koston e jetës ishin vetëm mënyra për të ardhur në pushtet dhe për të pasuruar veten, familjen dhe ithtarët e tij, ai ka vendosmërinë për ti mbajtur këto premtime. Kjo është pikërisht frika më e madhe që establishmenti ekonomik-politik në Amerikë dhe më gjerë ka nga efekti Mamdani. /tesheshi.com/



