Teknologjia moderne e kalimit elektronik të kufirit, “e-Gate”, që ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve në Aeroportin e Rinasit, do të shtrihet shumë shpejt edhe në portet kryesore detare të vendit, në Durrës dhe Sarandë.

Gjatë një inspektimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, theksuan rëndësinë e këtij sistemi për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe forcimin e sigurisë kufitare.

“E vendosëm që bashkë me Drejtorin të vinim sot, pikërisht edhe për të parë pak nga afër mënyrën moderne të kalimit të kufirit, duke pasur në konsideratë që aeroporti i Rinasit tashmë është kthyer në një destinacion, i cili fare mirë tregon për ndryshimin dhe zhvillimin e jashtëzakonshëm që ka marrë turizmi në vendin tonë, duke pasur një lëvizshmëri shumë të madhe, një fluks shumë të madh qytetarësh që qarkullojnë, që hyjnë dhe që dalin”, është shprehur Koçiu.

Ajo theksoi se vetëm në 10 muajt e parë të vitit, mbi 10 milionë qytetarë kanë përdorur sistemin elektronik e-Gate, i cili po ndihmon në përshpejtimin e procedurave dhe lehtësimin e shërbimit kufitar.

“Është një sistem që nuk lodhet, nuk mërzitet, që nuk harron së thëni ‘Faleminderit’ apo ‘Mirë se erdhët’. Është një sistem që garanton që puna të bëhet siç duhet, siguria kombëtare të ofrohet dhe çdo qytetar të marrë shërbim me dinjitet e respekt”.

Ministrja njoftoi gjithashtu se, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punohet që sistemi e-Gate të vendoset në Portin e Durrësit dhe në Portin e Sarandës, në mënyrë që gjatë sezonit turistik të ardhshëm, qytetarët që udhëtojnë përmes detit të përfitojnë të njëjtin standard shërbimi si në Rinas.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda vlerësoi ndikimin pozitiv të sistemit “e-Gate” në modernizimin e punës policore dhe përmirësimin e përvojës së qytetarëve

“Me kënaqësi konstatoj se Aeroporti i Rinasit është bërë tashmë portë hyrëse jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë rajonin, sepse nuk përpunon vetëm udhëtarët që kanë destinacion Shqipërinë por edhe ata që kanë destinacion vende të tjera, të cilët zgjedhin aeroportin tonë për shkak të lehtësive dhe mundësive që ofron”, tha Proda.

Kryepolici shtoi se sistemi e-Gate ka ndihmuar në përballimin e një fluksi rekord pasagjerësh, që pritet të arrijë deri në 12 milionë në fund të vitit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re