Studuesi dhe aktivisit Kaon Serjani, një nga zërat më potentë kundër një projektligjit të “barazisë gjinore”, si një minë për shoqërinë shqiptare, denoncon një hile nga autorë të saj, më saktë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, për të kamufluar sipas tij absurdin plot rrezikshmëri të këtij projekligji.
Ja ç’shkruan ai së fundi:
Përkufizimi të ri nuk mjafton
U informuam nga Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale për ndryshimet në projektligjin “Për Barazinë Gjinore”
Termi “gjini”, në versionin e mëparshëm të projektligjit (neni 4, pika 1, gërma ë) kishte këtë formulim:
“Gjini, sipas këtij ligji, ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.”
Në versionin e rishikuar, i cili tashmë gjendet në nenin 4, pika 1, gërma f), përkufizimi është formuluar si vijon:
“Gjini nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.”
Ky ndryshim, edhe pse mund të ketë pasur qëllimin për të sjellë qartësi konceptuale, nuk e zgjidh problemin thelbësor.
Përkundrazi, përkufizimi i ri ruan të njëjtën logjikë ideologjike si versioni i mëparshëm, duke e shkëputur plotësisht “gjininë” nga biologjia dhe duke e trajtuar atë si një konstrukt social të ndryshueshëm.
Në thelb, ky përkufizim nuk i referohet më realitetit objektiv të mashkullit dhe femrës, por rolit gjinor – pra, mënyrës se si një kulturë apo shoqëri përcakton se cilat sjellje apo detyra janë “të përshtatshme” për burrat dhe gratë.
Origjina e konceptit të “rolit gjinor”
Kjo mënyrë të menduari buron nga teoria gjinore (gender theory), e cila u zhvillua në mesin e shekullit XX dhe bazohet në idenë se gjinia nuk është një realitet biologjik, por një konstrukt shoqëror, që formohet përmes pritshmërive, normave dhe roleve kulturore.
Për herë të parë, kjo ide u artikulua nga Simone de Beauvoir (1908–1986), filozofe dhe shkrimtare ekzistencialiste franceze, një nga figurat më të rëndësishme të valës së dytë të feminizmit.
Në veprën e saj më të njohur, Le Deuxième Sexe (Seksi i Dytë), botuar në 1949, ajo shkruante:
“On ne naît pas femme, on le devient.”
(“Nuk lind grua, por bëhesh e tillë.”)
Me këtë fjali, Beauvoir hodhi bazat e idesë se të qenit grua nuk është diçka e dhënë nga natyra, por një rol i formuar nga shoqëria.
Ky mendim u bë themel i asaj që sot quhet teoria gjinore (gender theory) dhe u zhvillua më tej nga autorë si John Money (1921–2006), psikolog dhe seksolog nga Zelanda e Re.
Money ishte i pari që përdori termin “gender role” (rol gjinor) në vitin 1955, dhe më vonë “gender identity” (identitet gjinor) në kuptimin klinik dhe psikologjik.
Ai e aplikoi dallimin e Beauvoir-it midis “seksit” dhe “gjinisë” në fushën e psikologjisë dhe mjekësisë, duke pretenduar se identiteti gjinor formohet nga mjedisi dhe edukimi, dhe jo nga biologjia — duke instaluar kështu ndarjen “seks= biologji / gjini = konstrukt social.”
Në vitet 1960, Money u përpoq të vërtetonte këtë teori përmes një rasti real, i cili më vonë do të bëhej një nga eksperimentet më të famshme dhe më tragjike në historinë e psikologjisë.
Ai këshilloi prindërit e David Reimer, një foshnje kanadeze që kishte humbur organin gjenital gjatë një operacioni, që ta rrisnin si vajzë — duke i vendosur emrin Brenda — për të provuar se identiteti gjinor mund të formohej përmes edukimit dhe përvojës shoqërore, pavarësisht seksit biologjik të lindjes.
Money deklaroi publikisht se eksperimenti ishte një “sukses shkencor”, duke e përdorur si dëshmi për idenë se gjinia është një konstrukt social.
Në realitet, eksperimentet e tij përfshinin praktika abuzive dhe detyruese psikologjike, ku fëmijët përdoreshin për të imituar role gjinore, shpesh në mënyra traumatike.
Në moshën 14-vjeçare, Reimer zbuloi të vërtetën për origjinën e tij dhe refuzoi kategorikisht identitetin e imponuar. Ai rifitoi identitetin e tij mashkullor dhe mori sërish emrin David, duke dëshmuar publikisht për dështimin e eksperimentit dhe dëmet që kishte shkaktuar.
Megjithatë, pas vite të gjata traume dhe depresioni, David Reimer kreu vetëvrasje në vitin 2004.
Ky rast diskreditoi përfundimisht teorinë e Money-t në qarqet shkencore dhe etike, por idetë e tij — sidomos konceptet e “identitetit gjinor” dhe “rolit gjinor” — u përhapën më vonë përmes aktivizmit, duke ushtruar ndikim në mënyrën se si sot kuptohen dhe përdoren termat “gjini”, “rol gjinor” dhe “identitet gjinor.”
Për rrjedhojë, formulime që burojnë nga kjo paradigmë — si “rol gjinor,” “identitet gjinor” apo “shprehje gjinore” — nuk janë përkufizime neutrale apo shkencore, por kategori ideologjike, të cilat e zhvendosin kuptimin e “gjinisë” nga realiteti biologjik drejt fushës së perceptimeve subjektive dhe konstrukteve shoqërore.
Si përfundim, përkufizimi i ri nuk e lidh “gjininë” me natyrën biologjike të njeriut;
ngatërron “gjininë” me “rolin gjinor”;
bazohet në teori të debatueshme dhe joshkencore, që rrjedhin nga filozofia e Beauvoir dhe eksperimentet e Money-t;
dhe për pasojë, nuk mund të shërbejë si bazë e qartë juridike për një ligj që synon barazinë midis grave dhe burrave.
P.S. Këto shqetësime dhe rekomandime, së bashku me të tjera, i janë dërguar nga IFCE Komisionit përkatës në rrugë zyrtare për shqyrtim të mëtejshëm.
Kështu, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, posaçërisht ata socialistë, janë në sprovën e rëndë morale nëse do e votojnë apo refuzojnë një “barazi gjinore” që i “vë minat” shoqërisë sonë në jo pak telashe e mbrapshti. /tesheshi.com/



