Jack Allott u gjet i vdekur nga prindërit e tij në fermën familjare në Barnsley. Sipas nënës së tij, ai ishte ngacmuar në shkollën e mesme “sepse ishte shumë i mirë”.
Një djalë 15-vjeçar kreu vetëvrasje pasi u ngacmua nga shokët e tij në shkollë në Britani.
Jack Allott u gjet i vdekur nga prindërit e tij në fermën familjare në Barnsley në janar, pas javësh torturash nga një grup nxënësish të shkollës së mesme. Sipas Daily Mail, hetimi për rastin arriti në përfundimin se adoleshenti ia mori jetën vetes pasi nuk ishte në gjendje të përballonte ngacmimin.
Para se t’i merrte jetën vetes, 15-vjeçari i kishte thënë nënës së tij, Sarah Richardson, se ishte “i bezdisur” nga “shokët e supozuar” të tij në shkollën e mesme. Nëna e tij i tha Gjykatës së Kurorës në Sheffield se Jack ishte shënjestruar “sepse ishte shumë i sjellshëm”. Ajo tha gjithashtu se gjeti një shënim të lënë nga 15-vjeçari, i cili e ndihmoi të kuptonte se çfarë kishte ndodhur.
Familja zotëron një fermë dhe 15-vjeçari ia mori jetën vetes atje. Djali u dërgua në spital ku u shpall i vdekur.
“Ai ishte një djalë kaq i lumtur, i sjellshëm, i dashur dhe bujar. Ai ishte kaq i butë dhe pikërisht për këtë arsye u vu në shënjestër”, u tha Sarah autoriteteve, sipas YorkshireLive. “Ai ishte i pashëm, i ndjeshëm, bujar. Ai i donte kafshët e tij. Ai ishte numri një për mua”, shtoi ajo.

Funerali i Jack-ut u zhvillua më 28 shkurt dhe u nderua me një procesion prej gati 100 traktorësh, të cilët “paralizuan Barnsley-n”.
Tractor Lads Around Penistone po mbledhin fonde për Bee Kind for Honey, një organizatë bamirëse për parandalimin e vetëvrasjeve të të rinjve në Barnsley, duke organizuar një udhëtim me traktor për Krishtlindje në nëntor.
“Nëse mund ta parandalojmë një familje të kalojë nëpër atë që kaloi familja e Jack-ut, do ta kemi arritur qëllimin tonë”, tha Andy Lucas, një anëtar i Tractor Lads Around Penistone.
