Pastori me angazhim politik te e majta, Toni Gogu, ka bërë “avokatin e djallit” në rastin e avokimit të projektligjit të barazisë gjinore.
Ai nuk ka nguruar të sjellë dhe referenca të krishtera për të mbrojtur një projektligj që mjaft ka për ithtare Xheni Karajn dhe të gjithë sojin e atyre kanë dalë nga binarët e natyrshmërisë, asaj që i ka sjellë në jetë.
Ja çfarë tha Toni Gogu në parlament:
“Së pari, ky nuk është një ligj ideologjik; është një akt ligjor dhe europian. Prej vitesh, institucionet europiane kërkojnë kuadër më efektiv dhe të matshëm; projektligji përafron direktivat e BE-së dhe ecën me Kartën e të Drejtave Themelore. Kjo është politikë publike europiane, jo “eksperiment kulturor”.
Së dyti, ligji nuk shpik “gjini të reja” dhe nuk krijon realitete të reja ligjore. Teksti flet qartë për burra dhe gra dhe synon barazi reale mes tyre. Termat “orientim seksual” dhe “identitet gjinor” janë pjesë e ligjit shqiptar që prej 2010-s; ky projekt vetëm forcon zbatimin në punësim, arsim dhe shërbime.
Së treti, familja nuk preket: nuk ndryshohet Kodi i Familjes, nuk preket gjendja civile, nuk riformulohet martesë dhe nuk futet asnjë “program ideologjik” në arsim. Bëhet fjalë për rregulla zbatimi: paga të barabarta për punë të njëjtë, shanse të barabarta, dinjitet në trajtim—me role të qarta për institucionet, median dhe sektorin privat.
Për Shkrimin e Shenjtë. Shën Pali thotë: “Nuk ka më mashkull as femër; të gjithë jeni një ne Shpetimitari” (Gal 3:28), “nënshtrojuni njëri-tjetrit” (Ef 5:21) dhe “as burri as gruaja s’kanë pushtet të vetëm mbi tjetrin” (1 Kor 7:4). Barazia mes burrit dhe gruas që mbron ligji është në një vijë me këtë urtësi biblike: plotesim pa shtypje.
Por Kaon Serjani, një prej emrave më aktiv nga shoqëria civile që e ka bërë fërtele projektligjin pocaqi të barazisë gjinore, e shpartallon paq pastorin politikan.
Toni Gogu, kam disa pyetje:
Ju thoni se projektligji nuk ka “deriçka të fshehta” dhe se teksti merret me barazinë burrë-grua në jetën publike.
- Pse termi “gjini” nuk përkufizohet i lidhur me seksin biologjik të individit?
- Pse nuk përdoret përkufizimi i Fjalorit të Gjuhës Shqipe, por një përkufizim ideologjik?
Ju thoni se konceptet si “orientim seksual” apo “identitet gjinor” janë të njohura në korpusin tonë ligjor që prej vitit 2010 (ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”).
- Pse duhet përfshirë “orientimi seksual” në një ligj për barazinë gjinore?
- Ku ndryshon “identiteti gjinor” nga “gjinia”? Nëse është i njëjti koncept, pse nuk hiqet nga projektligji fraza “identitet gjinor”?
- Nëse këto terma kanë hyrë edhe në një ligj tjetër më herët, pse do të votoni përsëritjen e një gabimi, në vend që të loboni për ta hequr si term nga ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”?
Shiko ndryshimin mes ligjit të vjetër për barazinë gjinore dhe projektligjit të ri.
Ligj nr. 9970, datë 24.7.2008, “Për barazinë gjinore në shoqëri”
“‘Barazi gjinore’ është pjesëmarrja e barabartë e femrave dhe e meshkujve në të gjitha fushat e jetës.”
Projektligji “Për barazinë gjinore”, 2025:
“‘Barazi gjinore’ – të drejta, përgjegjësi, mundësi, pjesëmarrje dhe përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave në të gjithë diversitetin e tyre, në të gjitha fushat e jetës.”
- Pse është hequr “femrave dhe meshkujve” dhe është zëvendësuar me “grave dhe burrave”?
- Pse është shtuar “në të gjithë diversitetin e tyre”? Çfarë kuptimi ka kjo frazë? Sepse “gratë dhe burrat” e kanë në vetvete diversitetin. Për çfarë diversiteti tjetër bëhet fjalë? A është ligj për dy gjini apo për më shumë? Nëse është vetëm për dy gjini, duhet hequr “në të gjithë diversitetin e tyre”.
Ju thoni se projektligji “është i drejtësisë, jo i ideologjisë.”
- Nëse nuk është ideologjik, pse projektligji presupozon se ekziston një dallim midis seksit dhe gjinisë?
Neni 4, pika 1, gërma dh)
“‘Dhunë dhe ngacmim/shqetësim me bazë gjinore’: dhuna dhe ngacmimi ndaj personave për shkak të seksit ose gjinisë.”
- Pse nuk thuhet thjesht “për shkak të gjinisë”?
- Ku ndryshon “seksi” nga “gjinia”? A nuk janë e njëjta gjë? Nëse nuk nënkuptojnë të njëjtën gjë, a mos do të thotë që dikush mund të jetë për seks mashkull dhe për gjini grua? Kjo është ideologjia që imponon ligji. (Shih konceptet e John Money.)
Ju thoni: “Ne nuk po prishim gardhin e dallimeve gjinore.”
- Pse atëherë nuk e përkufizoni gjininë si “vetëm mashkull dhe femër”, duke theksuar se gjinia është e pandryshueshme? Mos prisni që të na sigurojnë fjalët publike individuale, por termat e ligjit.
Ju thoni: “Ungjilli nuk është kod ndalimesh për të tjerët.”
- Në cilën pikë të Ungjillit justifikohet që gjinia është rol social?
Nëse nuk ka rëndësi biologjia për të qenë burrë apo grua, atëherë Bibla është pa vlerë, sepse vetëm atë përkufizim njeh për gjininë (mashkull dhe femër – Zanafilla 1:27).
Ju thoni: “Burri s’ka frikë nga madhështia e gruas.”
Por nëse “gjinia” nuk përkufizohet si mashkull dhe femër — dhe si e pandryshueshme — por trajtohet si “rol social”, a sjell kjo vërtet madhështinë e gruas, apo i hapet e derës që një burrë të quajë veten grua?
Duke qenë se projektligji i hap derën vetë-identifikimit gjinor — pasi sipas tij gjinia nuk ka lidhje me seksin biologjik — si do të ndihmohet gruaja për të arritur përfaqësimin 30–50 % në sektorin publik?
Sapo të njihen identitete të tjera gjinore të mbrojtura nga ky ligj, a do të rritet vërtet përfaqësimi i grave?
Nëse një burrë vetë-identifikohet si grua, sepse ky është “roli shoqëror” që dëshiron të ketë, dhe zë vendin e një gruaje biologjike, si ndihmohet në këtë mënyrë përfaqësimi i grave?
A jeni dakord që koncepte të tilla, që e trajtojnë gjininë si “rol shoqëror” dhe jo si realitet biologjik, të mësohen fëmijëve në shkollë, siç parashikon projektligji?
- Pse duhet të detyrohen subjektet private të respektojnë kuota gjinore në bordet drejtuese? Përndryshe, a do të përballen me sanksione?
(Shih nenin 24, pika 1, gërma d) dhe nenin 47 për sanksionet.)
Pse duhet që Këshilli i Ministrave të përcaktojë “gjuhën me ndjeshmëri gjinore” për subjektet jopublike? A nuk përbën kjo një formë censure dhe ndërhyrje në lirinë e shprehjes?
Bëni këto ndryshime dhe do të jemi në mbështetje të projektligjit.



