Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Hill, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Avokati i Thaçit, Lluka Misetiç, pyeti Hillin se kur ishte përfshirë për herë të parë për zgjidhjen e tensioneve në Kosovë.

Hill theksoi se “jam përfshirë për herë të parë në maj të vitit 1998”.

“Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe, Madeleine Albright, e cila më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador amerikan në Maqedoni, të merrja përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë”, tha ai.

Hashim Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Kadri Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Jakup Krasniqi zëdhënës, ndërsa Rexhep Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.

Lajm në përditësim…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re