Skip to content

Kombëtarja nis grumbullimin në Barcelonë, Mitaj: Objektiv ‘play-off’, fitorja ndaj Andorrës

Kombëtarja ka nisur këtë të hënë grumbullimin në Barcelonë për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit, që luhen kundër Andorës me 13 dhe kundër Anglisë me 16 nëntor. Mbrojtësi Mario Mitaj thotë se kuqezinjtë janë të fokusuar te fitorja të enjten dhe arritjen e objektivit ‘play-off’.“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, e dimë çfarë presim, i njohim kundërshtarët, sidomos ndeshja e parë ndaj Andorrës, e cila është shumë e rëndësishme, ku duhet të jemi të gjithë shumë të fokusuar”, – u shpreh Mitaj.

Mbrojtësi i Kombëtares theksoi se grupi ndodhet në një moment shumë të mirë dhe se objektivi i ekipit është fitorja.

Mitaj vlerësoi kundërshtarin e radhës, por u shpreh se beson te përqendrimi dhe loja e skuadrës.“I njohim kundërshtarët si Andorra, të cilët mbrojnë shumë dhe rrinë mbrapa, por besoj se mënyra se si do të futemi ne në lojë, sa të përqendruar do jemi, do të bëjë diferencën.”

Në vijim, ai foli edhe për formën e tij në klub dhe ndikimin që kjo ka në paraqitjet me Kombëtaren:“Gjithmonë, nëse bëj mirë me klubin, kjo ndikon edhe te performancat e mia me Kombëtaren. Në përgjithësi jam i lumtur që paraqitem mirë dhe besoj se kjo do të ketë impakt më të mirë me Kombëtaren.”

Në fund, mbrojtësi kuqezi e mbylli me objektivin e qartë të grupit për dy ndeshjet e ardhshme:“Objektivi është vetëm që të shkojmë në play-off, jemi shumë afër, na duhen edhe këto dy ndeshje, fillimisht fitorja e parë me Andorrën dhe më pas shikojmë Anglinë. Ky është objektivi, të shkojmë në play-off”, – theksoi ndër të tjera Mitaj në prononcimin e tij.

Kuqezinjtë renditen të dytët në grupin K me 11 pikë, 1 më shumë se Serbia e vendit të tretë që të enjten luan në transfertë kundër Anglisë.