Fluturimet komerciale përbëjnë një tregues të rëndësishëm për ecurinë e turizmit dhe lëvizjen e popullsisë, si vendase ashtu edhe të huaj. Shqipëria ka shënuar një rritje të konsiderueshme të tyre, veçanërisht vitet e fundit, kur vendi është bërë gjithnjë e më i popullarizuar nga vizitorët e huaj.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Statistikave, në tetor të vitit 2025 Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 173% të fluturimeve komerciale krahasuar me tetorin e periudhës para pandemisë, duke u renditur kështu me rritjen më të lartë në rajon dhe në gjithë Evropën.
Nëse i referohemi periudhës 10-mujore, Shqipëria vijon të kryesojë për rritjen e numrit të fluturimeve komerciale krahasuar me periudhën para pandemisë. Për çdo muaj të vitit 2025 është regjistruar një rritje e vazhdueshme, madje edhe krahasuar me një vit më parë. Mesatarisht, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, numri i fluturimeve komerciale është rritur me 155.7%, duke arritur kulmin në muajin tetor.
Screenshot 6
Në nivel rajonal, pas Shqipërisë renditet Bosnjë-Hercegovina, me një rritje prej 55.6%, e ndjekur nga Serbia me 35.6%. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje më të moderuara, përkatësisht 20.8% dhe 29%.
Në shkallë evropiane, pas Shqipërisë renditet Islanda, ndërsa Bosnjë-Hercegovina zë vendin e tretë. Rritje të numrit të fluturimeve janë regjistruar gjithashtu në Slloveni dhe Poloni.
Screenshot 7
Megjithatë, jo të gjitha vendet kanë shënuar rritje në disa shtete, përqindjet janë negative. Suedia dhe Letonia kanë pësuar rënien më të madhe, me -27%, ndërsa Finlanda ka shënuar një ulje prej -22.5%. Situata mbetet jo pozitive edhe për Norvegjinë dhe Gjermaninë, ku fluturimet komerciale kanë shënuar rënie krahasuar me periudhat e mëparshme.
