Fitorja 0-1 e Shqipërisë në Andorra, e cila i siguroi Kombëtares vendin në play-off të Kupës së Botës, ka sjellë jo vetëm festë, por edhe momente të tensionuara për sulmuesin Armando Broja.
Mediat britanike, përfshirë tabloidin “The Sun”, kanë vënë theksin tek gjendja emocionale e futbollistit, i cili u pa i përlotur pas ndeshjes, duke shkruar: “Sulmuesi në shok! Ish-ylli i Chelseat, Armando Broja, shpërthen në lot dhe ngushëllohet nga shoku i ekipit pas fitores së madhe të Shqipërisë”.

Broja u ul i dëshpëruar në pankinë pasi u zëvendësua para 60 minutave, në një moment kur ndeshja ishte ende pa gola. Pas fitores, sulmuesi nuk iu bashkua festës së ekipit, duke qenë lojtari i vetëm që qëndroi mënjanë.
Në fushë, Elseid Hysaj u afrua për ta mbështetur, ndërsa më pas u përpoqën ta ngushëllonin edhe drejtues të FSHF-së, përfshirë zv/presidentin e FSHF Lutfi Nuri.
Broja, 24 vjeç, i cili këtë verë iu bashkua Burnley-t për 20 milionë paund, nuk ka arritur ende të shënojë në shtatë paraqitje me klubin anglez. “The Sun” rikujton edhe karrierën e tij në akademinë e Chelseat, 16 vitet në Londër dhe huazimet e shumta para largimit drejt Premier League.
Pavarësisht emocioneve personale, Broja është pjesë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar, teksa Kombëtarja kërkon të shkruajë historinë në kualifikueset drejt Botërorit 2026.