Ky djalë 26-vjeçar, duke kaluar rrugës në Gjenevë të Zvicrës, pa tym që dilte nga një banesë dhe dëgjoi një grua që thërriste për ndihmë. Serbja 60-vjeçare Ivana papritur u gjend e rrethuar nga flakët dhe nuk mund të largohej aspak nga banesa e saj.
“Dikush po bërtiste nga ballkoni. Tymi po vinte nga dritarja poshtë. E ngrita roletën dhe hyra brenda. Kishte aq shumë tym sa nuk mund të gjeja askënd. Dola të marr frymë dhe u ktheva përsëri. Më pas arrita ta tërhiqja Ivanën deri te dritarja, por jo edhe ta nxirrja jashtë. Një komshi më dha një leckë të lagur. Hyra brenda përsëri dhe e nxora jashtë.”
Për shqiptarin nga Kosova me emrin Mexhit nuk kishte aspak rëndësi se çfarë feje, kombësie apo ngjyre lëkure ishte personi që ndodhej brenda; e vetmja gjë për të cilën mendonte në atë moment ishte që aty brenda ishte një grua që kishte nevojë imediate për ndihmë. Pasi përfundoi në spital për shkak të djegieve që pësoi, gazetarët e pyetën nëse e dinte që gruaja që shpëtoi ishte serbe, dhe Mexhiti u përgjigj:
“Asgjë nuk do të kishte ndryshuar edhe sikur ta dija. Nuk kam menduar fare për këtë. Asaj duhej t’i shpëtohej jeta; qoftë serbe apo shqiptare, është e njëjtë.”
Marrë nga Islampress.ch



