
Lionel Messi vazhdon të shkruajë historinë e futbollit modern.
Sulmuesi argjentinas e ka udhëhequr Inter Miamin drejt finales së parë të Konferencës Lindore në MLS, pas një fitoreje të thellë 4-0 ndaj Cincinnati-t, në të cilën ai realizoi një gol dhe dha tri asistime.
Messi e hapi rezultatin në minutën e 19-të me një goditje me kokë, një mënyrë jo e zakonshme shënimi për të, ndërsa më pas u shndërrua në “njeriun asist”, duke u shërbyer bashkëlojtarëve pasime të arta.
Përveç paraqitjes spektakolare, 8 herë fituesi i “Topit të Artë” vendosi edhe një rekord të ri në playoff-et e MLS.
Me 12 kontribute në total (6 gola dhe 6 asistime), ai është bërë lojtari më vendimtar në historinë e kësaj faze, duke kaluar Ante Razovin, i cili mbante rekordin e mëparshëm me dhjetë kontribute.
Për më tepër, Messi ka arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 1,300 kontributesh ofensive në karrierë mes golave dhe asistimeve: 896 gola dhe 404 asiste.

Të tilla shifra tregojnë pse Messi vazhdon të dëshmojë pse konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve.
