Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie të Ervis Berberit, e cila sipas tij është shkrepur në ambientet e Pallatit të Brigadave dhe jo në një banesë private, siç është pretenduar.
Manjani ngre dyshime serioze mbi mënyrën se si imazhi ka përfunduar në duart e deputetit Gazment Bardhi, duke e cilësuar daljen e saj një shkelje të rëndë proceduriale dhe ligjore.
Në reagimin e tij të gjatë, Manjani nënvizon se fotografia nuk është pjesë e asnjë dosjeje hetimore, nuk figuron në fashikuj gjyqësorë dhe nuk përbën provë apo indicie për çështjet në proçes. Kjo, sipas tij, e bën edhe më të dyshimtë mënyrën e qarkullimit të saj.
“Si gjendet kjo foto në dorë të Gazmend Bardhit, nga celulari i sekuestruar i Ervis Berberit?! Në ç’rrethana ligjore apo proceduriale ka dalë kjo foto, e cila nuk është pjesë e asnjë fashikulli?!”
Manjani thotë se nuk ka asnjë burim tjetër të mundshëm përveç Prokurorisë së Posaçme:
“Kjo foto ka dalë nga SPAK dhe nga askush tjetër. Në vetvete ajo nuk shërben si provë. Ndaj nuk gjendet në asnjë dokument zyrtar.”
Ai e cilëson daljen e imazhit si “akt flagrante ndaj prokurorit të çështjes”, duke theksuar se prokurori është përgjegjestari i vetëm ligjor për ruajtjen e të dhënave hetimore.
Në vijim të kritikës, Manjani akuzon SPAK-un se përdor rrjedhjen e informacionit për të bërë presion publik dhe politik ndaj personave të hetuar:
“Kjo foto provon vetëm një gjë: që SPAK nxit drejtësinë popullore dhe politike ndaj personave nën hetim. Huq i përhershëm ky.”
Manjani nuk e lë pa sulmuar as Gazment Bardhin, duke thënë se deputeti po përpiqet të mbulojë humbjen e thellë elektorale në Fier, duke u bërë sipas tij “lajmësi i SPAK-ut”.“Përhapësi i të dhënave që i jep SPAK nuk e bën fitues në zgjedhje.”
Në përmbyllje, ai e konsideron daljen e fotos një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit, duke rikujtuar se e ka paralajmëruar prej kohësh këtë fenomen.“Ky nuk është thjesht skandal, por sjellje antikushtetuese e antiligjore nga ana e prokurorëve. Kjo është provë tjetër e kësaj sjelljeje dhune ndaj personit dhe drejtësisë.”
Reagimi i plote i Ylli Manjanit
Kjo foto e bërë nga Ervis Berberi, duket qartë që nuk është mjedis shtëpie. Ky mjedis gjendet në Pallatin e Brigadave.
Por pavarësisht kësaj, pyetja themelore që kam është kjo:
Si gjendet kjo foto në dorë të Gazmend Bardhit, nga celulari i sekuestruar e Ervis Berberit?!
Në ç’rrethana ligjore, apo proçedurale kjo foto, e cila nuk është pjesë e asnjë fashikulli gjykimi dhe, nuk gjendet në asnjë dosje të asnjërit prej të pandehurve, ka dalë nga memoria e celularit të Ervis Berberit dhe gjendet në dorë të Gazit?!
Shikoni, kjo foto ka dalë nga SPAK dhe nga askush tjetër. Në vetvete ajo nuk shërben si provë e as si indicie për hetimet që janë në proçes. Ndaj dhe nuk gjendet në asnjë dokument zyrtar të dosjeve me akuzat e bëra.
Dalja e kësaj foto në publik, përbën akt flagrance ndaj prokurorit të çështjes, i cili duhet të japë llogari për këtë gjë.
Ai është rojtari i të dhënave hetimore. Askush tjetër, përveç atij nuk ka përgjegjësi për nxjerrjen në publik e të dhënave personale të personave.
Gaz Bardhi, i cili kërkon të lajë turpin e dështimit politik për humbjen më të thellë në Fier, është i gatshëm të bëjë lajmësin e SPAK të drejtësisë popullore, qoftë dhe me gënjeshtra. Sidoqoftë përhapësi i të dhënave që i jep SPAK, nuk e bën atë fitues në zgjedhje, por temë tjetër kjo.
Përgjegjës ligjor për nxjerrjen e kësaj foto është Prokurori i SPAK.
Ky nuk është thjesht skandal, por sjellje anti kushtetutë e anti ligj nga ana e prokurorëve.
Kam kohë që e denoncoj këtë fenomen. Kjo e sotmja është provë tjetër e kësaj sjellje dhune ndaj personit dhe drejtësisë.
Kaq.




