Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka dorëzuar sot Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë një Notë-Verbale në emër të opozitës, duke vënë në dijeni gjithashtu Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian lidhur me deklaratat e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas Bardhit, opozita është thellësisht e shqetësuar nga deklarata e Komisioneres Kos, e bërë gjatë konferencës për shtyp të 21 nëntorit 2025 në Tiranë së bashku me kryeministrin Edi Rama, ku ajo u shpreh: “Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme”.
Bardhi shton se kjo deklaratë nuk përputhet me realitetin e konstatuar në terren dhe bie ndesh me gjetjet e OSBE-ODIHR, si edhe me vërejtjet e eurodeputetëve që monitoruan zgjedhjet.
Në dokument, numri dy i PD i kujton Delegacionit të BE-së edhe mbledhjen e Komitetit për Çështjet e Jashtme (AFET) të Parlamentit Europian, të mbajtur më 4 qershor 2025. Gjatë asaj seance, eurodeputeti Michael Gahler, drejtues i misionit të vëzhgimit të PE-së, paralajmëroi për “strukturat kriminale të ngulitura në Shqipëri që synojnë të ruajnë pushtetin politik për të vijuar aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës”. Gahler theksoi se ky ndikim deformon procesin zgjedhor dhe bëhet pengesë serioze për integrimin europian të vendit.
Sipas opozitës, edhe vërejtjet e OSBE-ODIHR nuk mbështesin aspak përfundimin se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Bardhi thekson se ndeshmëria kërkon kushte të barabarta gare, mungesë të ndikimit kriminal dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit, ndërsa liria e votës kërkon që qytetarët të mos përballen me presione, stimuj të paligjshëm financiarë apo intimidim ndaj administratës dhe grupeve vulnerabël.
Në përmbyllje, Nota-Verbale e PD-së nënvizon se opozita pret që deklaratat e ardhshme të përfaqësuesve të BE-së të jenë të harmonizuara me vlerësimet e institucioneve zyrtare që monitorojnë zgjedhjet. “Ndryshe, komentet personale, të pabazuara në gjetjet faktike, rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut tek vetë vlerat europiane”, përfundon dokumenti.



