
Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për t’u liruar.
“Mospranimin e rekursit të kërkuesit/të pandehurit Ilir Metaj, kundër vendimit nr. 183 (87-2025-284), datë 08.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, sot ishte parashikuar të mbahej seanca paraprake ndaj Metës, e cila u shty për në datën 5 dhjetor.
Kreu i PL i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, me pretendimin se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Ish-presidenti Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024.
