FOTO-DETAJE/ Ky është oficeri i Antiterrorit, u arrestua në Akademinë e Sigurisë teksa…

Mësohen detaje të reja nga arrestimi i oficerit të Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili ra në pranga, me urdhër të SPAK, në kuadër të një operacioni të realizuar në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Në momentin e arrestimit, Haxhiaj ndodhej në ambientet e Akademisë së Policisë, ku ishte i angazhuar në një kurs tre-mujor specializimi për Antiterrorin.

Sipas SPAK, Haxhiaj dyshohet për nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre, veprime që mendohet se janë kryer gjatë periudhës kur ai shërbente në njësitë operacionale të policisë.

Operacioni, i zhvilluar njëkohësisht në Itali, Shqipëri, Francë dhe Britaninë e Madhe, përfshin më shumë se 150 oficerë italianë, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust. Në total po zbatohen 24 masa arresti, ndërsa po sekuestrohen rreth 3 milionë euro, së bashku me mjete, llogari bankare dhe prova të tjera.

Hetimi, i cili ka zgjatur pesë vite, ka dokumentuar aktivitetin e një organizate kriminale me qendër në Shqipëri dhe degë në disa qytete të Italisë. Grupi dyshohet se sillte kokainë nga Amerika e Jugut drejt porteve të veriut të Evropës dhe më pas e transportonte në Itali me kamionë të modifikuar. Vetëm përgjatë këtyre viteve llogaritet se janë shpërndarë mbi 1.3 tonë kokainë.

Gjatë fazave të para janë arrestuar 10 persona, ndërsa janë sekuestruar 550 mijë euro, 10 automjete, një armë zjarr dhe rreth 130 kilogramë drogë, me vlerë tregu rreth 12 milionë euro. Kontrollimet e policisë vijojnë në disa zona të Italisë, ku janë përfshirë njësi të specializuara dhe qentë antinarkotikë.