Skip to content

Trafikuan 1.3 ton kokainë/ SPAK jep detaje nga operacioni ndërkombëtar: 6 anëtarë të grupit në Shqipëri…

Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar në Itali, Shqipëri, Angli dhe Francë.

Gjykata e Breshias ka lëshuar në total 24 masa sigurie, 10 nga të cilat janë ekzekutuar në qytetin italian, ndërkohë, me urdhër të SPAK në Tiranë është arrestuar oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj i cili dyshohet se kishte lidhje me klanet shqiptare të trafikut të drogës.

Ai dyshohet se gjatë kohës që ushtronte detyrën tek Forcat Operacionale ka dekonspiruar hetimet.

Në një njoftim zyrtar, SPAK njofton se nga 24 persona, për të cilët është vendosur caktimi i masave të sigurimit, “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” nga autoritetet italiane – është verifikuar se 6 prej tyre ndodhen në Shqipëri, 3 prej të cilëve janë arrestuar, përfshirë oficerin e Antiterrorit.

“Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lejimin e kontrolleve dhe të vëndeve për 21 persona nën hetim, kontrolle të cilat janë kryer, sot më datë 27.11.2025 nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Procedimet penale të mësipërme janë hetuar në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Distrektuale Antimafia në Breshia, Itali, dhe Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës.

Hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane zbuluan veprimtarinë e një grupi kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, i cili ka pasur qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ky grup i strukturuar kriminal, i nisur nga territori shqiptar me degëzime organike në territorin italian, dyshohet se ka importuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut në Europë (pjesën veriore të saj), përmes rrugëve detare, duke e eksportuar, përmes rrugëve tokësore në automjete të tonazhit të rëndë, drejt Italisë.

Autoritetet italiane kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, të llojit kokainë, në një vlerë mbi 1.300 kg. Kjo sasi pasi ka hyrë në territorin italian, dyshohet se është ruajtur dhe magazinuar, për t’u shpërndarë në 6 baza logjistike operative, të krijuara nga grupi kriminal, në të gjithë territorin italian.

Në brendësi të këtyre bazave që përdoreshin për për ruajtjen dhe magazinimin e lëndëve narkotike, personat përgjegjës, dyshohet se kanë vijuar me shpërndarjen e sasive të lëndëve narkotike dhe me  mbledhjen e  parave ‘cash’, të përfituar nga shitja. Shuma e konsiderueshme e parave të ardhura nga trafikimi i lëndëve narkotike dyshohet se është transferuar tek drejtuesit e grupit kriminal përmes të ashtuquajturve ‘money mules’  (korrierë /transportues financiarë), të cilët bëjnë pjesë në grupin kriminal, ku bënin pjesë edhe disa shoferëve të autobuzëve, që vepronin në linjën Itali- Shqipëri.

Përveç masave të sigurisë, të caktuara sot, më 27.11.2025, gjatë veprimtarisë hetimore të kryer nga autoritetet italiane janë arrestuar në flagrancë 10 subjekte, pjesë e grupit kriminal dhe janë sekuestruar mbi 550.000 euro ‘cash’, 10 autovetura, 1 pistoletë gjysmëautomatike dhe 130 kg lëndë narkotike (kokainë dhe heroinë) e cila, në rast se do të hidhej në treg mund të arrinte vlerën e rreth 12 milionë eurove.

Nga 24 persona, për të cilët është vendosur caktimi i masave të sigurimit, “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” nga autoritetet italiane – është verifikuar se 6 (gjashtë) prej tyre ndodhen në Shqipëri, 3 prej të cilëve janë arrestuar.

Gjithashtu, gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat provojnë se shtetasi Igli Haxhiaj, në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i ngarkuar për kryerjen e veprimeve hetimore dhe procedurale për procedimin penal në fjalë u ka zbuluar personave të dyshuar, të dhëna të akteve procedurale që përbënin “sekret hetimor”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.

LEXO EDHE: FOTO-DETAJE/ Ky është oficeri i Antiterrorit, u arrestua në Akademinë e Sigurisë teksa…