Skip to content

Vrasja e 43-vjeçarit në Elbasan, dyshohet se vrasësi veproi i vetëm

Biznesmeni 43-vjeçar, Edmond Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së dielës në Unazën Lindore  të qytetit të Elbasanit, dyshohet se u qëllua nga një person, i cili nga verifikimet e deritanishme rezulton të ketë vepruar i vetëm.

Viktima u qëllua tre herë për vdekje sapo la ambientet e zyrave të biznesit të tij, një pikë karburanti në zonën ku ndodhi ngjarja.

Nga verifikimi i pamjeve filmike, vrasësi ka qenë në ruajtje të biznesmenit dhe sapo ai ka hipur në makinën e tij tip “Range Rover”, është afruar, ka dalë nga makina dhe ka hapur zjarr duke e lënë të vdekur në vend.

43-vjeçari mori dy plumba në kokë dhe një në trup, ndërsa vrasësi u largua në drejtim të Librazhdit.

Disa orë më vonë, në fshatin Mirakë, policia gjeti tërësisht të djegur automjetin tip Audi, brenda tij edhe një pistoletë, që dyshohet se u përdor në ngjarje.

Nga verifikimet, makina e përdorur në krim ka rezultuar në pronësi të viktimës, i cili, krahas biznesit të hidrokarbureve dhe kompanisë së taksive, jepte edhe makina me qira.

Megjithatë, deri tani nuk bëhet me dije nëse Audi i përdorur në vrasje ka qenë i marrë me qira apo i vjedhur.