Gjykata Kushtetuese do të vendosë sot nëse do ta kalojë për shqyrtim ankimimin e qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si ministre dhe zëvendës kryeministre nga GJKKO.
Vendimi duhej të ishte marrë ditë më parë, por shqyrtimi i kërkesës u shty për sot, 2 dhjetor.
Shkak u bë largimi nga gjykata Holta Zaçajt, e cila ishte pjesë e Kolegjit që do të trajtonte në dhomë këshillimi çështjen, dhe gjyqtarja që e zëvendësoi Marsida Xhaferllari, kërkoi kohë që të njihej me aktet.
Nëse sot Kolegji vendos kalimin e çështjes për shqyrtim, atëherë pritet që seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese të shprehet fillimisht për shuarjen e efekteve të pezullimit, në pritje të një vendimi përfundimtar për çështjen.
Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses.
Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen, a e dini se kush e ka ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër dhe jo për individ, një ministre, që në këtë rast është edhe zv.kryeministre, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur, e mos marrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidentit nga një prokuror e gjykatës.
Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, të drejtën ekskluzive të parlamentit për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie”, ishte reagimi më i fundit i kryeministrit Rama.
