Protesta e fermerëve grekë, aksi Kakavijë-Janinë do të bllokohet nga ora 15:00-20:00


Greqia është paralizuar nga protestat e fermerëve të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.

Përmes një njoftimi nga Policia kufitare bëhet me dije se edhe sot aksi Kakavijë-Janinë, në fshatin Kallpaq do të jetë i bllokuar nga ora 15:00-20:00 (me orën shqiptare).

Policia kufitare e Kakavijës njofton qytetarët të marrin masa dhe të planifikojnë oraret e udhëtimit. Të vetme automjete që do të lejohen të kalojnë do të jenë vetëm ato që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Fermerët grekë, kanë vendosur të vijojnë protestën deri më 5 dhjetor dhe të mbajnë të bllokuara akse të rëndësishme rrugore, porte dhe pika doganore.

Njoftimi i plotë:

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.