Skip to content

Detaje nga arrestimi i Federica Mogherinit/ Për çfarë dyshohet ish-zyrtarja e lartë e BE

Zyra e Prokurorit Publik Europian bastisi këtë të martë institucionet e BE-së dhe jo vetëm.

Bastisjet po zhvillohen në ambjentet e Kolegjit të Evropës në Bruges dhe në selinë e Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në Bruksel, si pjesë e një hetimi për mashtrim në lidhje me financimin e BE-së për një projekt mbi diplomatët e rinj.

Hetimi, i urdhëruar nga European Public Prosecutor’s Office (EPPO) dhe zbatuar me ndihmën e European Anti-Fraud Office (OLAF), përqendrohet te procedurat e tenderimit për programin e ri të trajnimit të diplomatëve të rinj “European Union Diplomatic Academy”, një kurs 9-mujor, që ishte planifikuar për periudhën 2021–2022.

Çfarë po hetohet

Autoritetet dyshojnë se gjatë procesit të tenderimit, instituti apo përfaqësues të tij mund të kenë pasur akses paraprak në informacione konfidenciale, gjë që mund të ketë favorizuar Kolegjin e Evropës për të fituar kontratën. Kjo përbën shkelje të rregullave të konkurrencës, sipas EPPO.

Objekt i hetimit janë edhe financimet për një ndërtesë të blerë nga kolegji në Bruges, për 3.2 milionë euro, e cila do të shërbente si akomodim për diplomatët pjesëmarrës në akademi.

Blerja u krye në 2022, pak para shpalljes së tenderit. Dhënia e kontratës më pas, në vlerën 654,000 euro, shtoi më tej dyshimet për keqpërdorim fondesh.

Sipas EPPO-s, dyshohet për vepra penale si: falsifikim në prokurime, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

Kush është nën hetim

Tre persona janë ndaluar përkohësisht për t’u pyetur nga autoritetet. Mes tyre, mediat belge përmendin si të dyshuar edhe rektoren e “Kolegjit të Evropës”, Federica Mogherini — ish-përfaqësuese e lartë e politikës së jashtme të BE.

Reagimet e para

“Një tjetër ditë, një tjetër skandal tronditës i BE-së. Policia belge që ndërhyn në agim në SEAE dhe në Kolegjin e Evropës? Dokumente të sekuestruara, arrestime të kryera, korrupsion dhe mashtrim në prokurime mbi tavolinë. Shkolla prestigjioze e BE-së për ‘përsosjen’ e burokratëve eurokratë tashmë nën hetim për akses të privilegjuar në tenderë? Kjo nuk mund të sajohet. Ironike se si Brukseli u mban leksione të gjithëve për ‘respektimin e shtetit të së drejtës’, ndërsa vetë institucionet e tij duken më shumë si një serial policor sesa një bashkim funksional”, ka shkruar në X zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs.