Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, Punësimit dhe Financat u shoqërua me debate të forta dhe diskutime që kaluan deri në tone të larta.

Shkak u bë fjala e deputetit dhe kryetarit të Mundësia, Agron Shehaj, i cili akuzoi mazhorancën për vjedhje të fondeve të fermerëve dhe denigrimin e situatës në Bujqësi në pikën më të ulët.

Fjala e tij shkaktoi edhe irritimin e kryetares së Komisionit, Milva Ikonomi, që i preu fjalën dhe i kujtoi se ai nuk kishte qenë pjesë e diskutimeve për paketën fiskale dhe ishte vetëm deputet zëvendësues në Komision, që duhet të respektonte procedurën dhe jo të fliste sipas interesit personal.

Pjesë nga debati:

Shehaj: Jam anëtar i këtij Komisioni.

Ekonomi: Jeni anëtar zëvendësues.

Shehaj: E çdo të thotë kjo gjë?

Ekonomi: E ka fjalën Braçe që është anëtar i përhershëm, më pas ju që jeni anëtar zëvendësues.

Pas kësaj, ndërhyri edhe deputeti socialist, Erion Braçe, duke ngritur tonet.

Ekonomi: Edhe vetë po e përjashton veten nga ky Komision, po na drejtohesh me ju. Prandaj them që nuk jeni anëtar si gjithë të tjerët, jeni zëvendësues. Nuk keni marrë pjesë në seancat paraprake. Fjalën e keni pasi të sqarohemi ne që po punojmë për këtë gjë.

Shehaj: Më ndërpretë fjalën. Ju mendoni se jemi në shkollë ose kopsht dhe thoni: ‘Kush është ka ardhur më shumë do flasë më shumë’. Mos e bëni këtë komision më qesharak seç është.

Braçe: Nuk vjen dot këtu dhe të na ofendosh ne. E ke bërë një herë, dy herë…

Shehaj: Qetësohu ti. Po flas me kryetaren.

Braçe: Boll po të them! Qepe po të them!

Shehaj: Qetësohu.

Braçe: Ka mundësi t’ia fikni atë mikrofon?

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re