Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ishte e ftuara e “Intervistës së Ditës” në Fax News, ku foli mbi aktualitetin politik në vend, tek ngjarja “Mogherini”, ndërsa u fokusua më së shumti tek situata me arsimin.

Sipas Zhupës, fondet e arsimit janë në ulje, ndërsa e quajti sektorin më të nënfinancuar.

Deputetja demokrate shtoi se vitin e ardhshëm, për arsimin, pritet të shkojë vetëm 2.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), shifër sipas saj që ka ardhur në rënie vit pas viti.

“Për mua ka qenë një problemet kryesore sa i përket arsimit në Shqipëri. Edhe për faktin se, jam pedagoge por edhe për faktin se sistemi arsimor është një nga faktorët më të rëndësishëm për ta bërë një shoqëri të suksesshme ose jo nesër. Mua më dhemb shumë kur harxhohen miliona euro nga buxheti i shqiptarëve, 17 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, 5 milionë euro të tjera për të ndërtuar një kampus të një Kolegji Evropian që nuk ka më shumë se 25 studentë, ku Federica Mogherini do të ishte dhe është edhe sot që flasim rektore e këtij kolegji. Dhe këtu dua të hap një parantezë, zonja në fjalë nuk ka as edhe një titull shkencor që të justifikojë qënien e saj rektore.

Dhe e gjitha kjo vjen si rezultat i asaj që, në Shqipëri është ndërtuar një rrjet ndërkombëtarësh të cilat janë ata që jo rastësisht kapen edhe nga institucionet e BE apo amerikane, të cilët zgjedhin të mos e shohin realitetin në Shqipëri por të mburrin qeverinë, të mburrin reformat, të flasin për standarte europiane, të flasin për Shqipërinë 2030.

Sot kisha fjalën në Kuvend dhe solla në vëmendje se si buxheti i arsimit ka ardhur në ulje në krahasim me nivelin e GDP-së. Pra, sa harxhohet për arsimit nga GDP-ja, Prodhimi i Brendshëm Bruto. Dhe nëse në 2022 për arsimin shkonin 2.9% e GDP, në vitin që jemi shkoi 2.2% dhe parashikohet në buxhetin afatmesëm që të shkojë në 2.1%”, tha ndër të tjera në intervistën e saj për Fax News, Ina Zhupa.

Intervista e plotë:

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re