Kryeministri Edi Rama, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, i është rikthyer edhe një herë çështjes së pezullimit të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas Ramës, ky pezullim ka shkaktuar bllokim të 35 marrëveshjeve, projekteve dhe investimeve.
“U bë sebep një mik për të bërë këtë komunikim, kur më shkruan e kuptoj shqetësimin tënd lidhur me precedentin e rrezikshëm që krijon pezullimi i ministrit se nesër bëhet rrugë dhe prokurorët e gjykatësit të heqin kë të duan nga qeveria, ajo linjë ajrore me Kandanë mu duk pak e tepërt. Mbase nuk është pak e tepërt, por shembuj që sjell i sjell për të thënë sa i tepërt është pezullimi i një ministri. Ndryshe nga çdo funksionar publik që mund të pezullohet, ministri jo vetëm nuk firmos dot vetë asgjë por bën që askush tjetër të mos marrë vendim dhe të firmosë gjësendi ne emër të dikasterit. Kushtetua ia jep ministrit autoritet ekskluziv. Pezullimi është bllokim i zinxhirit të vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon.
Për gjërat janë bllokuar është edhe marrëveshja me Kandanë për fluturimet ajrore, po mundohemi mos e zgjidhim me ministrinë e jashtme. Ja ta zëmë se e zgjidhëm, po me 35 vendime të tjera të qeverisë si do ja bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në infrastrukturë, godina publike, që kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar. Si do ja bëjmë? Këto janë punë të bllokuara që do shtohen çdo ditë, prandaj kam shkuar në Kushtetuese. Nuk ndërhyj në punë e gjykatësit në fjalë dhe as merrem me pse dhe si ata po merren me një doje për një anëtar kabineti. Unë flas për cenimin e balancës mes pushteteve, për ndërhyrjen brutale në përbërjen qeverisë, për marrjen e kompetencave. Flas se si prekja e gjithë këtyre bllokon punët në sektorin përkatës”, tha ndër të tjera Rama.
Çështja “Balluku”, Gjykata Kushtetuese vendos më 12 dhjetor
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet më 12 dhjetor për të shqyrtuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama, i cili ankimoi vendimin e pezullimit të zv/kryeministres Balluku nga Gjykata e Posaçme.
Shkak është bërë, siç njoftoi gjykata Kushtetuese, kompleksiteti i çështjes, volumi i materialeve shoqëruese, agjenda e gjykatës si dhe kërkesa e disa prej anëtarëve të saj.
“Në vijim të njoftimeve të mëparshme për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj. Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.
Ankimimi i Qeverisë:
Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër.
LEXO EDHE: Pezullimi i Ballukut/ Fax News siguron kërkesën e qeverisë për Kushtetuesen: Ndërhyrje në Ekzekutiv, ministri ka imunitetin e deputetit
Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit.
Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar.
