Skip to content

‘Putini moralisht përgjegjës për helmimin e ish-spiunit rus’: Çfarë thotë një hetim britanik

ap25331546338863

Një hetim britanik ka arritur në përfundimin se Presidenti rus Vladimir Putin mban përgjegjësi morale për vdekjen e Dawn Sturgess, e cila u helmua me Novichok të importuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe të përdorur për të helmuar ish-spiunin Sergei Skripal në vitin 2018 dhe kritikun e Kremlinit Alexei Navalny në vitin 2020.

Në mënyrë specifike, në gjetjet e tij, kryetari, ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë Britanike Anthony Hughes, deklaroi se ishte i sigurt se një grup oficerësh të inteligjencës ushtarake të GRU-së kryen tentativën e vrasjes së Skripal, i cili i kishte shitur sekrete ruse Britanisë dhe ishte zhvendosur atje pas një shkëmbimi spiunësh në vitin 2010.

“Prova të Mbizotërueshme”

“Kam arritur në përfundimin se operacioni për vrasjen e Sergei Skripal duhet të jetë autorizuar në nivelet më të larta nga Presidenti Putin,” deklaroi Hughes në raportin e tij.

“Provat se ky ishte një sulm shtetëror rus janë të shumta,” shtoi ai.

Rusia mohon çdo përfshirje, duke i quajtur akuzat propagandë anti-ruse. Ambasada Ruse në Londër nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

“Veprime të Pamatura”

Hughes deklaroi se veprimet “e pamatura” nënkuptonin se vrasësit e mundshëm, eprorët e tyre të GRU-së dhe ata që miratuan sulmin, përfshirë vetë Putinin, mbanin përgjegjësi morale për vdekjen e Sturges.

Edhe pse Putini e kishte denoncuar më parë Skripalin si tradhtar, hetimi arriti në përfundimin se nuk kishte prova që të sugjeronin se agjenti i dyfishtë ishte në rrezik të menjëhershëm.

Ai gjeti të meta në mënyrën se si Skripal u trajtua si agjent i dyfishtë, por nuk arriti në përfundimin se sulmi mund të ishte parandaluar pa masat drastike të sigurisë që do ta kishin detyruar atë të fshihej plotësisht nën një identitet të ri dhe pa asnjë kontakt me familjen e tij, diçka që ai vetë nuk e donte.

Hetimi i dytë i madh për Putinin

Raporti i së enjtes është hetimi i dytë i madh që akuzon Putinin për sulme në tokën britanike kundër armiqve të tij të perceptuar.

Në vitin 2016, një hetim tjetër arriti në përfundimin se Putini ka të ngjarë të urdhërojë vrasjen në Londër të Alexander Litvinenkos, një disident rus dhe ish-agjent i inteligjencës FSB, duke përdorur polonium radioaktiv-210.

Përshtati në Shqip S