Skip to content

U shua edhe ‘komunisti i fundit’, ndahet nga jeta Muho Asllani

Është ndarë nga jeta Muho Asllani, ish-anëtari i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe një nga eksponentët e fundit të regjimit komunist.

Asllani është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, në banesën e tij në Durrës.

Jetëshkrimi:

Muho Asllani ka lindur në tetor të vitit 1937 në Bërdicë të rrethit të Shkodrës.

Në vitin 1953 mbaroi shkollën 7-vjeçare në fshatin e lindjes dhe pas kësaj shkon në shkollën e mesme bujqësore në Lushnje, por bën vetëm një vit dhe ndërpret shkollën për tu kthyer sërish në shtëpi.

Mbaron teknikumin bujqësor të Shkodrës, në vitin 1958.

Në viti 1961 fillon Institutin Bujqësor dhe e mbaronë në vitin 1964.

Ka mbaruar Shkollën e Partisë me korrespondencë në vitin 1968.

Në nëntor 1971, pikërisht në Kongresin e VI të PPSH-së, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, pa kaluar fare fazën e kandidatit.

Më 3 janar të vitit 1974 u emërua Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Matit.

Nuk do të vononte shumë dhe në korrik të po atij viti, pra në 1974-ën, u emërua me detyrën e Sekretarit të Parë të rrethit të Kukësit.

Në maj të vitit 1976 u emërua zëvendësministër i Bujqësisë.

Në mars të vitit 1979 emërohet Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Burrelit.

Në nëntorin e vitit 1981, pikërisht në Kongresin e VIII të Partisë u bë anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror.

Duke qenë anëtar i Byrosë politike u emërua sërish Sekretar i Parë në Durrës.

U shkarkua në vitin 1991 nga Byroja politike e drejtuar nga Ramiz Alia.