“Alo…disa deputetë po pinë cigare”/ Inspektorati sqaron “zbarkimin” në Parlament

Një telefonatë e mbërritur në zyrat e Inspektoratit të Shëndetit për konsumim të duhanit brenda ambienteve të Kuvendit ka bërë që inspektorët të nisen me urgjencë drejt lokalit të parlamentit.

Deputetët të cilët kanë qëndruar për më shumë se 12 orë në sallë në një seancë maratonë, kanë dashur të shfrytëzojnë ambientet e lokalit për te shoqëruar kafen me një cigare, por kanë mbetur të habitur kur kanë parë aty inspektorët e Shëndetit Publik.

Ata kanë njoftuar kreun e grupit të PD Gazment Bardhi, i cili e ngriti çështjen në seancë.

Janë disa inspektorë që kontrollojnë ambientet e punës së deputetëve. Nuk ushtron dot kontroll prokuroria pa autorizim të seancës plenare. Jeni duke shkelur rëndë kushtetutën, jeni duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme me gjestin që jeni duke bërë”, tha Bardhi.

Në përgjigje të kreut te grupit ministrja Sala konfirmoi se “është inspektorati i autorizuar për të kryer kontrollet“.

Por në krah të Bardhit doli kreu i Kuvendit, Niko Peleshi. “Duhani nuk duhet lejuar. Forma dhe procedura e inspektimit, padyshim z.Bardhi ka të drejtë. Për momentin se nuk bëhet kiameti, inspektorët të largohen“.

Pas aksionit të djeshëm në kuvend, sot reagoi edhe Inspektorati.

Informacion mbi Denoncimin dhe Inspektimin pranë Parlamentit

Nisur nga telefonata e ardhur pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSh) Qendror, ku denoncohej pirja e duhanit në ambientet e Bar Kafe, e cila ndodhet brenda ambienteve të Parlamentit, trupa inspektues u angazhua për kryerjen e inspektimit.

Ky veprim u krye në zbatim të Urdhrit Nr. 20 dhe 20/1, “Për kryerjen e inspektimit në zbatim të Ligjit Nr. 9636, datë 06.11.2006, ‘Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit’, i ndryshuar”.

Inspektimi u bazua gjithashtu në kërkesat e Ligjit Nr. 99/2024, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, Neni 33, Pika 1, germa “a”.

Trupa inspektues u paraqit pranë ambienteve të Parlamentit në datën 04.12.2025 në orën 13:00 dhe po në datën 04.12.2025 në orën 21:00, ku kreu inspektimin për zbatimin e Ligjit Nr. 9636.