Dalin detaje të reja nga plagosja me armë zjarri e ndodhur në Berat, në vendin e quajtur “Dogana”.
Fillimisht kanë qenë të paqarta rrethanat e ngjarjes por, pasi grupi hetimor ka punuar intensivisht në këqyrjen e kamerave të sigurisë të marra nga bizneset dhe banesat rreth zonës, është zbuluar edhe dinamika e ngjarjes.
Mësohet se i plagosuri, Fabiel Toska (Xhindi),ka qenë duke udhëtuar me një mjet tip Seat, me një shokun e tij në aksin nacional Kombinat-Dimal.
Nga pamjet filmike, duket edhe një mjet tjetër, fuoristradë me ngjyrë të zezë dhe të dyja mjetet parakalohen disa herë me njëra-tjetrën.
Pas kësaj, i plagosuri del nga mjeti dhe shkon me vrap tek makina tjetër, nga ana e shoferit (për tu sqaruar me të se përse po e ndiqte nga prapa dhe po e parakalonte) por sapo shoferi hap xhamin e qëllon me një plumb në bark. Nga mjeti tip Seat duket se del edhe shoku i të plagosurit por sapo e sheh që Fabielin e qëllojnë me armë dhe bie në tokë, ai ikën më vrap dhe njofton policinë.
Burimet policore konfirmojnë se i plagosuri dhe shoku me të cilin ishte në makinë nuk kanë pasur njohje të mëparshme me personat e tjerë, thënë kjo edhe në deklaratat që kanë dhënë të dy gjatë pyetjes nga inspektorët e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.
Pas plagosjes, Fabiel Toska (Xhindi), 37-vjeç, banues në lagjen “Çlirim”, është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi ka marrë mjekimin e nevojshëm, është transportuar drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rëndë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, është duke vijuar intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.