Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Online Threat”, duke arrestuar një 20-vjeçar që mashtronte dhe shantazhonte qytetarët në rrjetet sociale.

Sipas policisë, Erjon Mejdani., banues në Tiranë, u kërkonte viktimave të ndryshme shuma nga 500 deri në 1 mijë euro, në këmbim të mosbërjes publike të fotove të tyre personale.

Hetimet kanë dokumentuar dy raste konkrete të mashtrimit, ndërsa gjatë një periudhe dyjavore, i riu hapte profile false në rrjetet sociale dhe, pas sigurimit të fotove personale të viktimave, u kërkonte para me anë të shantazhit. Konkretisht, më 5 dhe 6 dhjetor 2025, ai ka përfituar 750 euro nga një 36-vjeçar.

Njoftimi i Policisë:

Seksioni për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën kibernetike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Online Threat”.

Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi E. M., 20 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, për një periudhë rreth 2-javore, në një rrjet social hapte profile false dhe, gjatë komunikimit me shtetas të ndryshëm, siguronte prej tyre foto personale. Më pas, nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit, u kërkonte shuma monetare nga 500 deri në 1000 euro, në këmbim të mosbërjes publike të fotove personale.

Konkretisht, në datat 05.12.2025 dhe 06.12.2025, ky shtetas, në mënyrë të përsëritur, ka përfituar shumën 750 euro nga një 36-vjeçar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re