Edhe pse kanë kaluar 5 vite prej kur u miratua ligji për “Për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, që i hapte rrugën edhe licencimit të kompanive për të prodhuar kriptomonedha, asnjëherë nuk u bë funksional, pasi asnjë kompani nuk u licencua për shkak të kritereve të forta apo mangësive në kuadrin ligjor.
Por për t’i hapur rrugën tregut virtual të monedhave, ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hartuar projektligjin e ri “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, i cili parashikon prodhim, blerje, këmbim dhe përdorim të kriptovalutave edhe në Shqipëri, duke ju përshtatur edhe rregulloreve të Bashkimit Evropian.
- “Shqipëria synon të ndërtojë një kuadër të harmonizuar që do t’i mundësojë ofruesve vendas të shërbimeve të kripto-aseteve të operojnë në tregun e përbashkët evropian në përputhje me standardet më të larta të mbikëqyrjes dhe transparencës”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Rregullat e caktuara në këtë projektligj sipas ministrisë garantojnë një mjedis konkurrues për bizneset inovative, me qëllim që ofruesit vendas të operojnë pa pengesa në tregun e përbashkët evropian, duke synuar nxitjen e konkurrueshmërisë, tërheqjen e investimeve cilësore.
- “Kripto-asetet janë një prej produkteve kryesore të mbështetura në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Ato janë përfaqësime digjitale të një vlere ose të drejte të cilat mbartin potencialin për të sjellë përfitime të konsiderueshme për pjesëmarrësit e tregjeve financiare, përfshirë këtu investitorët jo-profesionistë të këtyre tregjeve”, shpjegohet në relacion.
Përdorimi i kripto-aseteve shikohet edhe si mundësi për të fuqizuar ndërmarrjet e mesme dhe të vogla.
- “Në rastet kur ato përdoren si mjet pagese, përdorimi kripto-aseteve mund të rezultojë në pagesa më të lira, më të shpejta dhe më efiçente, veçanërisht për sa i përket pagesave ndërkufitare, si rezultat i uljes së numrit të ndërmjetësve të përfshirë në transaksion”, thuhet në relacion.
Ndërsa për përdoruesit jo profesionistë që mund të jenë qytetarë të thjeshtë, kanë të drejtën e tërheqjes nga investimi, brenda 14 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes për blerjen e kripto-asete të ndryshme.
Adoptimi i këtij kuadri ligjor ka edhe sfida të shumta, ku ndër më kryesoret ka të bëjë me stabilitetin financiar, dhe me pastrimin e parave.
- “Ekziston mundësia që disa lloje të kripto aseteve që kanë për qëllim të stabilizojnë çmimin duke e fiksuar vlerën e kripto asetit, në të ardhmen të adoptohen gjerësisht nga klientët jo-profesionistë dhe një zhvillim i tillë mund të rriste sfidat për sa u përket stabilitetit financiar, operimit të sistemeve të pagesave, zbatimit të politikave monetare dhe sovranitetit monetar”, thuhet në raport.
Ndaj i gjithë procesi i licencimit të kompanive, të cilat duhet të jenë me shtetësi nga Shqipëria apo një vend i BE-së do të ndiqet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë, në respektim të ligjeve për të garantuar stabilitetin financiar dhe për të parandaluar pastrimin e parave.
Projektligji me 142 nene, parashikohet të hyjë në fuqi më 1 mars 2026, dhe të jetë plotësisht funksional bashkë me aktet nënligjore pranverën e 2027-ës/Shqiptarja

