Këtë të hënë, 8 dhjetor, opozita protestoi sërish para godinës së Kryeministrisë, vend të cilin kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar “Sheshi i Lirisë”.
Foltorja-protestë u hap me fjalimet e qytetarëve, aktivistëve dhe përfaqësuesve të opozitës, ndërsa më pas fjalën e mori kreu i PD, Sali Berisha.
Gjatë fjalës së tij, duke u ndalur tek Dita e Rinisë, Berisha u shpreh se, sot pas 35 vjetësh, shqiptarët kanë një forcë politike dhe ajo është Partia Demokratike, e themeluar nga studentët dhe idealet e Dhjetorit ’90.
Sipas tij, “koha nuk pret. Çdo ditë që kalon jemi të vonuar”, tha Berisha, që lëshoi më pas akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Një përshëndetje për studentët e Dhjetorit 1990, që u prinë nga studenti Azem Hajdari, duke ndarë epokat dhe duke përmbysur epokën e egër dhe çelën dyert e lirisë. Këto kohë është folur shumë për gjeneratën Z, që përmbysën diktatura mizore në vende të ndryshme të botës. Kjo gjeneratë është bërë zëdhënëse e betejës për liri të shoqërisë njerëzore. Sot, kemi shkuar mbrapa. Misioni i PD ka të bëjë me shpëtimin e Shqipërisë apo rrënimin e saj. Të mbajmë misionin deri në fitore. Edi Rama, është armik i egër i lirive të shqiptarëve”, tha ndër të tjera Berisha.
“Koha është e guximtarëve. Të përgatitemi për protesta masive“, shtoi më tej kreu i PD.
Teksa PD mban protesta për të rikthyer pluralizmin, javën e fundit ka pasur zhvillime jo fort të favorshme për këtë forcë politike. Ish-deputeti demokrat, anëtar Kryesie, Ervin Salianji e ka thënë publikisht se ky subjekt politik ka nevojë të riformatohet. Megjithatë, ai u pa në protestën e sotme.
LEXO EDHE: FOTO-VIDEO/ Foltorja para Kryeministrisë, i pranishëm dhe Ervin Salianji



