Skip to content

Reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, tërhiqet KLP: Operatorët në holl, gazetarët në sallë

Pak minuta pas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë ku shprehej shqetësimi për kufizimin e aksesit të mediave në seancën e së enjtes, ku do të zgjidhet drejtuesi i ri i SPAK-ut, një proces me interes të jashtëzakonshëm publik dhe me rëndësi të lartë për drejtësinë në vend, ka ardhur një tjetër reagim nga zyra e shtypit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

LEXO EDHE: “Nuk ka vende në sallë”, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagon ndaj vendimit të KLP: Shqetësim për kufizimin e aksesit të mediave

Pas justifikimit se në sallë nuk do të kishte vende të lira pasi do të ishin prezentë shumë përfaqësues të ambasadave në vend, KLP ka shpërndarë një tjetër njoftim për mediat ku thuhet:

“Për të evituar çdo keqkuptim. Siç njoftuam më herët, linja direkte do të transmetohet nga RTSH. Kolegët kameramanë do të akomodohen në holl, ndërsa gazetarët në sallë. Ju faleminderit dhe ju mirëpresim nesër”.

Nesër, në orën 09:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë procesin e intervistimit të kandidatëve për postin e drejtuesit të SPAK, duke i thirrur ata sipas rendit alfabetik.

Gjatë seancës, katër pretendentët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, do të prezantojnë vizionin dhe programin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pasuesi i Dumanit pritet të shpallet po më 11 dhjetor ndërsa zyrtarisht do e marrë detyrën më 19 dhjetor, datë kur do të mbahet ceremonia formale e dorëzimit të kompetencave.

LEXO EDHE: FOTO/ Nesër kreu i ri i SPAK, zyrtari amerikan takon Dumanin por zbulon “kandidatin e preferuar”