“Nuk ka vende në sallë”, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagon ndaj vendimit të KLP: Shqetësim për kufizimin e aksesit të mediave

Në lidhje me njoftimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi kufizimin e pranisë së mediave në seancën e nesërme për zgjedhjen e kreut të SPAK.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij për kufizimin e aksesit të mediave në seancën e së enjtes të KLP-së, ku do të zgjidhet drejtuesi i ri i SPAK-ut, një proces me interes të jashtëzakonshëm publik dhe me rëndësi të lartë për drejtësinë në vend.

Të drejtat e medias dhe parimi i transparencës nuk mund të reduktohen për shkak të mungesës së hapësirës.
Institucionet shtetërore kanë detyrimin të garantojnë akses të barabartë për gazetarët, veçanërisht në procese të kësaj natyre, ku besimi i publikut ndërtohet përmes raportimit të pavarur dhe të drejtpërdrejtë.

AGSH kërkon që KLP të sigurojë kushte fizike ose logjistike që mundësojnë pjesëmarrjen e reporterëve në mënyrë të rregullt, pa e reduktuar median në rolin e ndjekësit të sinjalit zyrtar. Aksesi i drejtpërdrejtë është një standard demokratik, jo një favor.

U bëjmë thirrje institucioneve të rishikojnë këtë vendimmarrje dhe të garantojnë maksimalisht hapësirën për mediat, në funksion të transparencës, llogaridhënies dhe interesit publik.

Njoftimi i KLP

“Duke qenë se ditën e nesërme është konfirmuar një numer i madh i përfaqësuesëve nga ambasadat, lutemi për mirëkuptimin tuaj për prezencen mediatike në sallë. Siç edhe e dini salla është relativisht e vogël për t’ju akomoduar të gjjthëve, ndaj ju lutem të ndiqni seancën direkt nga sinjali RTSH-së.”

LEXO EDHE: FOTO/ Nesër kreu i ri i SPAK, zyrtari amerikan takon Dumanin por zbulon “kandidatin e preferuar”