
Prokurori Klodian Braho iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë pasi prezantoi platformën e tij për drejtimin e SPAK-ut.
Ai tregoi pikën e tij të fortë që është lufta me korrupsionit dhe si pikë q do ta shikojë në vazhdim komunikimin publik. Braho tha se prokurorët nuk kanë qenë të përgatitur për këtë lloj vëmendje publike që ka sot SPAK.
“Si pikë e fortë do përmend faktin që kam eksperiencë të gjatë në veprat penale me korrupsionin. Kam që në vitin 2012 që jam marrë kryesisht me këtë vepër. Kam patur qetësinë dhe qartësinë e duhur dhe maturinë jo vetëm njerëzore, por edhe procedurale në kryerjen e hetimeve. Sa i përket pikës së dobët do tregohem i sinqertë. Prokuroria nuk ka qenë më përpara siç është sot. As ne nuk kemi qenë të përgatitur për këtë lloj komunikimi publik, për këtë lloj vëmendje publike dhe mendoj është një nga pikat e mia, nuk do thosha të dobëta, por që do i kushtoja rëndësi në të ardhmen, mënyra e komunikimit me publikut, mënyra e komunikimit me median. Ka të bëjë me situata të tilla që ne si trupë prokurorësh nuk kemi qenë të mësuar dhe përgatitur. Drejtuesi është ai që përfaqëson, por prokurorët nuk e kanë pasur atë mundësi”, tha Braho.
Më herët, anëtarët e KLP dëgjuan platformat e tre kandidatëve të tjerë, Adnan Xholi, Doloreza Musabelli dhe Elvin Gjokaj.
Pas fjalës së Brahos pritet të nisë edhe procesi i votimit për kreun e ri të SPAK.



