Ervin Salianji, ish deputet dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ishte i ftuari i ditës në Fax News.
Përballë gazetares Eliana Hoxha, Salianji iu përgjigj shumë pyetjeve që ngrenë demokratët dhe jo vetëm.
Fillimisht, ai uroi demokratët dhe shqiptarët me rastin e 35-vjetorit të Partisë Demokratike, forca e parë politike pluraliste pas rrëzimit të regjimit komunist.
“Diksutimin ta nisim me urimin për demokratët dhe gjithë Shqipërinë që forca e parë pluraliste që grumbulloi dhe arriti të formalizoi të gjithë energjinë e rinisë dhe intelektualëve në vitet ’90 për tu bërë partia politike më e rëndësishme e tranzicionit, partia që solli pluralizmin dhe bëri lëvizje epokale në Shqipëri dhe që ka orientuar Shqipërinë me fytyrë nga perëndimi. Kështu që, urimet më të mira për të gjithë demokratët dhe qytetarët shqiptarë për një parti politike të këtij profili. Partia më e bukur e lindjes, e ka quajtur Kadare. Duke qenë se jam edhe në Gjirokastër…”, tha Salianji.
Sipas PD nuk është sot në ditët e saj më të mira, duke premtuar se do bëhet gjithçka që ajo të arrijë atje ku e meriton.
“Partia Demokratike nuk është sot në ditët e saj më të mira. Por besoj se do bëjmë gjithçka që Partia Demokratike të arrijë atje ku e meriton”.
Më tej, Salianji potencoi se ajo që po bën ai dhe mbështetësit e tij nuk është një fraksion brenda PD-së.
“Pa diskutim që ne jemi Partia Demokratike. Demokratët janë Partia Demokratike. Ne kemi këtë mendim, që e kemi shprehur. Kurrësesi nuk është një fraksion. Ne jemi në Partinë Demokratike, brenda Partisë Demokratike. Funksionarë dhe anëtarë të Partisë Demokratike. Kemi një mendim të caktuar që nuk e di në çfarë përmasash, që PD duhet të rizgjohet, të ripërtërihet, të reformohet por duhet bërë me hapa shumë të shpejtë. Duhet të ecim me ritme të shpejta dhe hapa të shpejtë”.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË TË ERVIN SALIANJIT PËR FAX NEWS:



