Është zhvilluar në ambjentet e selisë blu ceremonia e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij, kreu i saj Sali Berisha tha:
“Ne përulemi përpara themeluesve dhe drejtuesve të PD-së, Azem Hajdarit, Pjetër Arbnorit, Gramoz Pashkos, Ali Spahisë, Bujar Nishanit, Sokol Olldashit, Gerti Bogdanit dhe dhjetëra drejtuesve e qeveritarëve qendror e vendor. PD është partia e interesit kombëtar. Ne jemi partia që iu dha forcën shqiptarëve të kapërcenin 45 vite shtypje. Më 1990, mes pedagogëve që u ngritën ishte edhe një djalë i ri, Edi Rama, që sot është kthyer në një fatkeqësi për kombin. Ai u largua menjëherë nga PD, këtë e dinë të gjithë. PD e anëtarësoi vendin në NATO, bëri që shqiptarët të kenë të ardhura të mesme të larta. Partia Demokratike luajti rol të pazëvendësueshëm në pavarësinë e Kosovës. PD do të mbrojë interesin kombëtar, edhe sikur gjithë bota të jetë kundër Partisë Demokratike. Idealet tona do ta rrëzojnë narko-shtetin e vetëm në Europë”.
PD u krijua në dhjetor të vitit 1990 nga një grup studentësh dhe intelekualësh shqiptarë midis të cilëve Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Eduard Selami etj.
Kreu i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike u zgjodh studenti Azem Hajdari.
Më vonë kryetar i PD-së u zgjodh Sali Berisha, i cili vijon të jetë kreu i saj edhe sot pas 35 vitesh.
Në zgjedhjet parlamentare të marsit të vitit 1991, Partia Demokratike nuk arriti të fitojë shumicën në parlament.
Në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 22 marsit të vitit 1992 Partia Demokratike fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament. Ajo qeverisi deri në vitin 1997.
PD u rikthye në pushtet në vitin 2005 dhe e la atë në vitin 2013.
LEXO EDHE: “Nuk jemi fraksion”, Salianji për Fax News: PD duhet të rizgjohet, të ripërtërihet dhe të reformohet me ritme e hapa të shpejtë