Skip to content

Berat, restaurohen portat e banesave në kala

10 maj- Banesat karakteristike të qytetit të Beratit janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik. Këto banesa reflektojnë influencat e traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 të erës sonë.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet gjithnjë e më shumë restaurimit të banesave në qytetin e Beratit.

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar sot projektin për  mirëmbajtjen dhe restaurimin e portave në kalanë e Beratit.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në disa prej portave të banesave në brendësi të kalasë së Beratit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. /k.s/j.p/