Një nga momentet më kulmore të mbrëmjes gala për “Topin e Artë” 2025 që do të zhvillohet nga Federata Shqiptare e Futbollit është pikërisht çmimi për futbollistin më të mirë të vitit.
Këtë të premte, FSHF ka publikuar 4 kandidatët që do të sfidojnë njëri-tjetrin për të fituar çmimin më të rëndësishëm individual të vitit. Në listë janë Bekim Balaj, Baton Zabërgja, Dejvi Bregu dhe portieri Mario Dajsinani.
Kapiteni i Vllaznisë ishte golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar me 17 gola, por edhe në këtë aktualin kryeson renditjen.
Ish-sulmuesi i Dinamos, Baton Zabërgja, pati një rritje të jashtëzakonshme sezonin e kaluar ku shënoi 12 herë dhe u transferua në Ukrainë.
Dejvi Bregu gjithashtu është një lojtar me impakt të madh në kampionatin shqiptar duke udhëhequr Dinamon këtë sezon, ndërsa vjet fitoi Kupën e Shqipërisë.
Në listë është edhe portieri i Egnatias dhe i Kombëtares shqiptare që përveçse u shpall kampion, ka debutuar edhe me kuqezinjtë.

Në dy edicionet e mëparshme kanë triumfuar Arinaldo Rrapaj dhe Bekim Balaj.
Përveç “Topit të Artë” që është nga më të rëndësishmit e mbrëmjes, do të akordohen gjithashtu 11 çmime të tjera si “trajneri i vitit”, “talenti i vitit dhe “arbitri i vitit”.
Do të zgjidhet gjithashtu formacioni më i mirë i sezonit, por edhe lojtari i vitit nga Kombëtarja që bëhet me vetë votimin e futbollistëve kuqezinj.

Mbrëmja gala nuk do të jetë vetëm një ceremoni për shpërndarjen e çmimeve, por një event ku do të bëhet bashkë sporti, arti dhe spektakli.
