Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, propozoi të hënën shtrëngimin e ligjeve kombëtare për armët e zjarrit, pas një sulmi masiv gjatë një feste të Hanukkah-ut në plazhin Bondi të Sydneyt, ku humbën jetën të paktën 15 persona.

Albanese deklaroi se do të paraqesë masa të reja kufizuese, përfshirë limitimin e numrit të armëve që mund të zotërojë një person me leje.

Propozimi vjen pasi autoritetet konfirmuan se më i moshuari nga dy autorët e sulmit, babë e bir, kishte qenë i pajisur me leje armësh prej një dekade dhe kishte siguruar gjashtë armë në mënyrë të ligjshme.

“Qeveria është e gatshme të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm. Kjo përfshin edhe nevojën për ligje më të ashpra për armët,” tha Albanese për mediat.

Ai shtoi se rrethanat e njerëzve mund të ndryshojnë me kalimin e kohës dhe se individët mund të radikalizohen, duke theksuar se lejet për armë nuk duhet të jenë të përhershme.

Të paktën 38 persona po trajtoheshin në spitale pas masakrës së së dielës, kur dy sulmuesit qëlluan pa dallim gjatë festimeve në zonën bregdetare. Mes viktimave ishin një vajzë 10-vjeçare, një rabin dhe një i mbijetuar i Holokaustit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re