FaxNews ka siguruar dosjen e SPAK, e cila godet tre grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës, mes tyre edhe grupin e fisit Rraja, i drejtuar nga Rexhep Rraja. Ky i fundit, në bisedat e përgjuara me anëtarët e grupit, njihej me dy pseudonime, “XRI” dhe “New Sky”. Bujar Sefaj njihej me nofkën “Venecia”, Përparim Rraja si “Caca”, ndërsa Sokol Qaja si “Hermano”.
Në dosje bëhet fjalë për tre episode të ndryshme trafiku narkotik. Episodi i parë i përket datës 3 nëntor 2020, kur autoritetet kompetente të Malit të Zi sekuestruan një sasi prej 1 722 kilogramësh bimë narkotike të llojit marijuanë. Droga ishte nisur nga Shqipëria dhe kishte si destinacion përfundimtar Gjermaninë.
Episodi i dytë i referohet datës 26 janar 2021, kur autoritetet turke sekuestruan rreth 236 kilogramë marijuanë. Edhe kjo sasi ishte dërguar nga Shqipëria, me destinacion përfundimtar Turqinë.
Episodi i tretë daton më 23 nëntor 2020, kur autoritetet e Mbretërisë së Holandës sekuestruan 475 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë. Kjo ngarkesë ishte nisur nga Ekuadori dhe kishte mbërritur në Holandë.
Në njërin prej episodeve, SPAK akuzon grupin nga Fushë-Kruja për trafikimin e 475 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Holandës. Si provë kyçe përdoren përgjimet e aplikacionit Sky ECC, ku anëtarët e grupit organizojnë transferimin e kësaj ngarkese. Droga u bllokua më 23 nëntor 2020 në portin Vlissingen. Kokaina ishte fshehur në një ngarkesë me banane, me mbishkrimin në paketime “Yellow Pacific”, të cilat transportoheshin me anijen “Autumn Stream”. Sipas shërbimeve doganore, të cituara nga mediat e kohës, vlera e drogës në treg arrinte rreth 23 milionë euro.
Ndër provat e SPAK janë edhe përgjimet Sky ECC mes Ervis Shulit dhe Përparim Rrajës, kushëririt të Rexhep Rrajës, në nëntor 2020. Në këto biseda, Shuli i shpjegon Përparim Rrajës për një debat që kishte pasur me një shok të tyre të përbashkët nga Fushë-Kruja, i cili nuk kishte kryer pagesën për 10 kilogramë drogë që kishte porositur nga ngarkesa prej 475 kilogramësh kokainë e sekuestruar në portin Vlissingen. Gjatë bisedës, ky person i kishte komunikuar Shulit se kishte takuar Përparim Rrajën dhe djalin e një deputeti. Në këto komunikime, Shuli i dërgon edhe fotografi të ngarkesës me drogë.
Në një episod tjetër, sipas dosjes se SPAK te siguruar nga gazetarja Vanesa Rrahmani, SPAK akuzon Rexhep Rrajën si një nga porositësit dhe organizatorët kryesorë të ngarkesës me 236 kilogramë kanabis që u sekuestrua në Turqi. Grupi kishte organizuar çdo detaj për trafikimin e lëndës narkotike drejt Turqisë përmes një kamioni. Megjithatë, në pikën e kalimit kufitar, plani nuk shkoi siç ishte parashikuar. Kamioni me targa shqiptare, ku droga ishte fshehur në pjesën e tavanit, kishte kaluar skanerin pa probleme, por Policia turke e ndaloi mjetin në mbrëmjen e 26 janarit dhe e mbajti për një kontroll të imtësishëm.
Mëngjesin e 27 janarit 2021, Gazmir Rraja i shkruan Bujar Sefës se ishte vënë në dijeni nga drejtuesi i kamionit se kishte hyrë në ambientet e doganës turke, por mjeti ishte futur për kontroll fizik dhe nuk kishte dalë më prej andej. Pas atij momenti, shoferi nuk kishte kthyer asnjë përgjigje. Gazmir Rraja i shpreh Sefës bindjen se me 99 për qind shoferi ishte arrestuar, ndonëse ende nuk kishte asnjë njoftim zyrtar apo lajm në media.
Një ditë më pas, më 28 janar 2021, Gazmir Rraja i shkruan sërish Bujar Sefës duke e informuar se kamioni ishte kapur, pasi shoferi kishte telefonuar bashkëshorten e tij dhe e kishte njoftuar për ndalimin.
Pas bllokimit të ngarkesës prej 236 kilogramësh kanabis në doganën turke, grupi i Rexhep Rrajës ngre dyshime për një tradhti të mundshme nga ana e shoferit, Elton Bogdani. Rexhep Rraja shpreh dyshime se informacionet për ngarkesën mund të jenë dhënë edhe nga persona të tjerë që kishin pjesë në drogën e nisur drejt Turqisë. Agim Nina, personi që kishte mbajtur kontaktet e drejtpërdrejta me shoferin, shprehet se është e pamundur që tradhtia të ketë ardhur prej tij, duke theksuar se shoferi kishte me vete vetëm një telefon “Samsung” të vjetër.
Gjatë një bisede mes Jani Çavos dhe Rexhep Rrajës, hidhen dyshime se ndonjë nga personat e tjerë që kishin futur drogë në kamion mund të ketë dhënë informacionet tek autoritetet. Për këtë arsye, Rexhep Rraja thërret Aldo Gjinin, të referuar si “bjondi”, dhe Jani Çavon, për t’u sqaruar në Fushë-Krujë.