
Sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj ka fituar “Topin e Artë”, për të dytin vit radhazi me çmimin që u dorëzua nga presidenti i FSHF, Armand Duka.
Për këtë çmim, ishin të nominuar katër futbollistë, Bekim Balaj, Mario Dajsinani, Dejvi Bregu dhe Baton Zabërgja.
“E tepruam pak ne shkodranët sonte. Realisht dua ta nis me një falenderim për djemtë e ekipit kombëtar, që na kanë bërë krenar të gjithë shqiptarët, na kanë bërë që të ëndërrojmë për Botërorin. Meqë jemi te kombëtarja dua të falenderoj misterin tim Gianni De Biasi, më ka bërë që të vesh fanellën kombëtaren. Është një krenari e madhe. Për të kaluar te “Topi i Artë” një tripletë personale e paplotësuar mund të them, e paplotësuar për titullin kampion.
Një gjë që ne në Shkodër e presim, një pritje që zgjat, i mërzit të gjithë dhe ndoshta deri diku jam i lidhur me qytetin, Shkodrën, e kujtoj edhe me vitin që shkoi, thëniet e njerëzve që takoja. ‘T’i gëzosh trofetë, por kupën ku po na i sjell’. Fitimi i titullit është kthyer në obsesion në Shkodër. Vitin që kaloi i shkuam afër, humbëm një finale, por nuk dorëzohemi. Jam i bindur që do të kthehemi me presidentin Xhaferri në krye, me profesorin tim Martinin dhe gjithë atë grup fantastik që kemi, do tentojmë deri në fund titullin kampion”, tha ai.
LEXO EDHE: Ceremonia e “Topit të Artë”, FSHF vlerëson më të mirët e vitit. Ja fituesit



