Skip to content

SPAK kërkoi arrestimin e Ballukut, rruga që duhet të ndjekë tani Kuvendi/ Kush janë anëtarët e Këshillit për Mandatet?

SPAK ka kërkuar arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku pak ditë pas Gjykata Kushtetuese ktheu në detyrë.

Për të zbatuar masën e arrestit, qoftë arrest me burg apo shtëpie, duhet që Kuvendi të miratojë më parë heqjen e imunitetit të deputetit.

Rruga që ndjek tashmë Kuvendi

Çështjen e heqjes së imunitetit për një deputet apo anëtar qeverie dhe dhënien e lejes për arrestim e zgjidh neni 118 i Rregullores së Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit tashmë ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, një institucion me 10 anëtarë (5 mazhoranca dhe 5 opozita). Deputeti vihet në dijeni dhe ka të drejtë të mbrohet para Këshillit.

Ky këshill nuk voton, por brenda 2 javëve përgatit një raport, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun, siç kërkon SPAK, dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare.

Shqyrtimi bëhet në seancën pasardhëse plenare të Kuvendit si pikë e parë e rendit të ditës. Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit.

Tani mbetet për t’u parë nëse mazhoranca do të vendoset menjëherë në lëvizje për këtë kërkesë të SPAK për arrestimin e Ballukut, pasi rregullorja nuk parashikon afatin për nisjen e procedurës.

Në të gjitha rastet afati maksimal sipas rregullores për një vendimmarrje është 3 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës.

Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Por kush janë anëtarët e Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren?

Nga PS:

Niko Peleshi

Taulant Balla

Ulsi Manja

Bledi Çuçi

Bledi Çomo

Antoneta Dhima anëtar zëvëndësues

Arkend Balla anëtar zv/anëtarë

Nga PD

Gazment Bardhi

Oerd Bylybashi

Elda Hoti

Gent Strazimiri

Saimir Korreshi

Ivi Kaso zv/anëtarë

Gerta Bardeli  zv/anëtarë