Skip to content

Spanjë/ Sanchez përgatit “strehime klimatike” për të mbrojtur qytetarët nga valët e të nxehtit

pedro sanchez

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez njoftoi sot krijimin e një rrjeti kombëtar të “strehëzave klimatike” për të mbrojtur popullsinë nga valët e të nxehtit, ndërsa vendi përballet me temperatura gjithnjë e më të larta.

Në vitet e fundit, Spanja ka përjetuar valë më të gjata të të nxehtit në verë dhe shira të rrëmbyeshëm në vjeshtë, fenomene që i atribuohen efektit serë të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor. “Disa vera nuk janë më valë të nxehti, por më tepër një valë e gjatë e të nxehtit”, tha Sánchez në një konferencë për shtyp në Madrid, duke përshkruar një “realitet të ri” me “thatësira katastrofike” më të shpeshta dhe intensive.

“Si rezultat, para verës së ardhshme ne do të përurojmë një rrjet kombëtar të strehimoreve klimatike”, njoftoi ai, duke deklaruar se qëllimi i tij kryesor është “t’u vërë ndërtesat publike në dispozicion spanjollëve”.

“Ne gjithashtu do të lehtësojmë financimin për krijimin e strehimoreve të tilla në lagjet më të prekshme, ku nxehtësia është më intensive”, shtoi ai, pa dhënë shifra.

Kryeministri socialist deklaroi se qeveria qendrore synon të koordinojë veprimet e saj me autoritetet rajonale që kanë krijuar tashmë “streha klimatike”, si në Vendin Bask dhe Katalonjë.

Në Spanjë, falë sistemit të decentralizuar të qeverisjes, rajonet janë përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave, përfshirë ato që lidhen me klimën. Barcelona, ​​kryeqyteti i Katalonjës, është një nga qytetet e pakta të mëdha që tashmë kanë strehimore klimatike, shumica e të cilave ndodhen në biblioteka, shkolla dhe ndërtesa të tjera publike me ajër të kondicionuar.

Vera e vitit 2025 ishte një nga më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë në Spanjë, me një temperaturë mesatare prej 24.2°C, sipas agjencisë kombëtare meteorologjike Aemet. Nga 16 maji deri më 30 shtator, 3,832 vdekje mund t’i atribuohen të nxehtit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Përshtati në Shqip S