Skip to content

Rama drejt Hagës për të takuar Thaçin: Drejtësia ndërkombëtare ka lënë kokrrën e namit!


Kryeministri Edi Rama e ka nisur me një mesazh në rrjetet sociale, pak para se të takojë në Hagë ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Me shpresën se viti 2026 do i japë fund procesit gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, që kreu i qeverisë e quan “teatër absurd”, tha se “drejtësia ndërkombëtare ka lënë kokrrën e namit”.

“Ajo lloj drejtësie ku shkeljet e standardeve e të drejtave të njeriut, të normave janë në fakt e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë, ku ende pa u dënuar, një president i zgjedhur demokratikisht nga populli sëbashku me tre bashkëluftëtarë, mbahen mbyllur. Tani që ka mbaruar ekspozeja e pseudo-provave të akuzës dhe parada e dëshimtarëve qesharakë të sjellë në sallën e drejtësisë si dhe dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve të mbrojtjes, pritet vendimi. Dua shumë të besoj se e drejta do të fitojë, që është e drejta e bekuar përjetësisht me gjakun e heronjve, martirëve me dhimbjet e patregueshme të nënave, motrave, grave e vajzave të përdhunuara e të sakatuara, gjatë një periudhe nga më të zymtat, për vetë Europën, në zemër të Europës”, shtoi Rama.