
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipeëria nuk do ta zgjasë ndalimin 1-vjeçar të rrjetit social TikTok.
Në një intervistë për Politico, kreu i qeverisë bëri me dije se kanë arritur një partneritet me platformën dhe se së shpejti do t’i prezantojë publikut shqiptar masat e reja mbrojtëse.
Ndalimi i TikTOK në vend u vendos në muajin mars për shkak të shqetësimeve mbi abuzimin online dhe dhunën e lidhur me rrjetet sociale, por u kritikua nga opozita dhe OJQ-të si censurë.
“Jemi të kënaqur me rezultatin. E kemi bërë partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt në vijim do t’ia zbulojmë planin popullit shqiptar, siç e premtuam”, ka kryeministri, duke shtuar se ishte shumë i befasuar nga reagimi i TikTok pas vendimit fillestar të Shqipërisë për të ndaluar platformën.
“Sepse në fillim, për shkak se ishte normale të mendonim se ata do të na luftonin, ata do të hakmerreshin ndaj nesh, do të na ngacmonin. I takova vetë dhe mbeta shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre. Ata po i dëgjonin me shumë kujdes pikat tona”, tha Rama nga margjinat e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Rama pranoi se ndalimi nuk e ka zgjidhur plotësisht dhunën në shkolla, por tha se ka ndihmuar në vendosjen e mekanizmave të rinj mbrojtës me TikTok. Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë që Shqipëria të mbështesë kufizime të përgjithshme të mediave sociale për të miturit, duke i quajtur ato joefektive, ndërsa riafirmoi synimin për anëtarësim në BE në vitin 2030.
Qeveria vendosi ndalimin e TikTok në mars të vitit 2025 pas rreth një viti bisedimesh me TikTok mbi abuzimin online. Goditja fatale me thikë e Martin Canit jashtë një shkolle në Tiranë ishte pika e fundit dhe qeveria urdhëroi ofruesit e shërbimeve të internetit të bllokojnë aksesin në versionet e desktopit dhe të aplikacioneve. Megjithatë, ky veprim shkaktoi reagime të ashpra nga partitë opozitare dhe OJQ-të, të cilat akuzuan qeverinë për censurë dhe për kufizimin e shprehjes politike në internet.